Kuvendi i Kosovës për dy ditë me radhë do të pres bashkatdhetarët që duan ta vizitojnë organin legjislativ, raporton Ekonomia Online.
Mëngjesin e së hënës ata u pritën nga deputetët të Kuvendit. Të parët erdhën babë e bir, Emin dhe Adrian Simnica.
Emin Simnica tha se çdo vit e vizitojnë Kuvendi sa herë që vijnë në Kosovë.
“Jam nga Gjermania. Këtu jem prej fshatit Bardh i Madh komuna e Fushë-Kosovës. Jemi qe 10 ditë. Për çdo vit vijmë në Kosovë, sa herë ka aktivitet na vijmë. Ne kemi ardhur të parët sot këtu”.
Përderisa djali i tij, Ardiani tha se mezi pres që të vijë në vendlindje për pushime.
“Dita shumë ë mirë, kemi shumë qef me ardhë në Kosovë, sidomos gjenerata e jem kanë shume qef. E duma venin, s’mujna me prit për me ardhë në Kosovë për pushime”.
“Për neve që jem jashtë venit është zor me u kthyer po shpresojmë që kur të bohem pak me të vjetër me ardh apet në Kosovë”.
Deputeti i VV-së, Avni Dehari tha se mërgimtarët kanë dhënë kontribut të çmuar në luftën e Kosovës e në shtet-ndërtim. Dehari tha se edhe vetë një kohë ka jetuar në diasporë dhe e di mirë gjendjen e tyre dhe mallin për Kosovën.
Sipas tij, ata janë shprehur të interesuar për punën e Kuvendit dhe pikëpamjet e tyre kanë qenë të mira.
“Sot është dita e parë që Kuvendi ka hapur dyer për bashkatdhetarët edhe pse ata mund të vijnë edhe ditëve të tjera; të marrin informata për funksionimin e Kuvendit edhe të takohen me deputetët”.
“Përshtypjet e tyre janë të mira, kanë interesim të madh, ata kanë kontribuar edhe në zhvillimin ekonomik edhe në luftë. Kam qenë pjesë e mërgatës edhe e di që çfarë gjendje gjenden ata dhe çfarë është interesimi tyre, ata janë të lidhur shumë me Kosovën. Dëshira e tyre është që punën e tyre që e bëjnë atje ta investojnë në vendlindje”.
Edhe deputeti tjetër i kësaj partie, Enver Dugolli tha se mërgimtarët janë shprehur mjaft të interesuar të dinë më shumë për Kuvendin, raporton EO.
Ai ka shtuar se është obligim i deputetëve që ata t’i njoftojnë më punën që bëhet në organin legjislativ.
“Kjo është pritje tradicionale, dyert e Kuvendit janë të hapura për mërgimtarët. Sot është dita e parë, edhe nesër gjithashtu është ditë e rezervuar për ta. Të mërkurën Grupi ynë do të organizojë pritje në holl të Kuvendit”.
“Andaj këto tri ditë janë të ngjeshura me aktivitete me karakter mikpritës mërgimtarët kanë dëshirë t’i vizitojë këto vende, nga ku bëhen ligje e dalin vendime të rëndësishme për shtetin, prandaj interesimi i tyre është obligim i yni. Prandaj këto tri ditë do të komunikojmë me ta”.