Sot nën udhëheqjen e Kryesuesit të Kuvendit, Fatmir Iska u zhvillua mbledhja e tretë e rregullt të këtij viti kalendarik.
Në këtë seancë, rendi i ditës përfshinte 16 pika të rregullta dhe 2 pika shtesë. Mes temave kryesore u shqyrtuan dhe miratuan vendime për dhënien në shfrytëzim afatgjatë dhe afatshkurtër të pronës së paluajtshme të komunës, formimin e komisioneve për vlerësimin e ofertave, bartjen e mjeteve vetanake të pashpenzuara, miratimin e planeve komunal për siguri dhe riintegrim, si dhe ndryshimet në rregulloren për Shërbime Publike.
“Të gjitha pikat e rendit të ditës u votuan nga anëtarët e kuvendit, disa me shumicë votash dhe disa unanimisht”, thuhet në njoftim.
Shtesë të rendit të ditës përbënin vendimet për plotësim-ndryshimin e komisionit për dhënien në shfrytëzim të Hotel Park Plaza dhe shpalljen me interes të përgjithshëm publik të një pjese të parcelës në ZK Rahovec.
Mbledhja përfundoi me pyetje, përgjigje dhe diskutime nga kuvendarët, duke përmbushur të gjitha pikat e rendit të ditës sipas procedurave të parashikuara ligjore.