Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 76 vota për rekomandimet e harmonizuara me Grupet parlamentare, nga Debati parlamentar, në lidhje me skandalin e mishit të prishur të ardhur nga Belgjika, si dhe cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Rekomandimet e miratuara janë:
- Kryeministri të marrë masa ndaj përgjegjësve, bordit dhe menaxhmentit të AUVK-ut.
- Organet e drejtësisë të fillojnë hetimet ndaj institucioneve përgjegjëse publike dhe subjekteve private që sjellin në treg produkte të dyshimta.
- Të bëhet mbështetje më e madhe për Agjencinë e ushqimit, për konsolidimin e saj me pajisje me laboratorë, pajisja e inspektorëve me kamera profesionale, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe shtimin e stafit me inspektorë.
- Në funskion të rritjes së transparencës, AUVK të pasqyrojë të dhënat e veprimtarisë së inspektorëve në baza ditore në ueb-faqen e tyre.
- Të shqyrtohet legjislacioni përkatës që saktëson periudhat kohore minimale para skadimit të afatit të produkteve ushqimore që importohen në Kosovë.
- Të rritet mbështetja financiare për masat mbështetëse për programet për zhvillim rural që rritin prodhimin vendor.