Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijella Gjuroviç, ia ktheu mbrapsht Presidenti të Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, iniciativën për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi, raporton gazeta online Reporteri.net.
Gjukanoviç kërkoi që të inicohet seancë e jashtëzakonshme parlamentare për të diskutuar shkurtimin e mandatit parlamentar dhe për thirrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, raportuan mediat malazeze.
Gjuroviç argumentoi se Gjukanoviç në iniciativën e tij bëri gabime procedurale, dhe siç tha, Presidenti nuk dorëzoi Propozim për vendim i cili do të duhej të votohej.
Presidenti i Malit të Zi, propozoi ditë më parë që Kuvendi të shpërbëhej dhe që të shpalleshin zgjedhjet e reja parlamentare, ngase, siç tha ai, kjo është mënyra e vetme për të dalë nga kriza politike.
Në anën tjetër, blloku pro-serb i mazhorancës së vjetër parlamentare kanë dorëzuar 41 nënshkrime për shkarkimin e Millo Gjukanoviç nga posti i presidentit të vendit, ndonëse për një gjë të tillë duhet konsensus nga 2/3 e deputetëve malazezë. Kuvendi i Malit të Zi ka 81 deputetë.
Mazhoranca e vjetër ka arritur pajtim për rigrupim de formim të qeverisë së re, dhe mandatar është emëruar Miodrag Lekiç.
Partitë sovraniste insistojnë që nuk duhet të ketë eksperimentime të mëtejme me rezultatin zgjedhor të 20 gushtit 2020, ngase nga këto rezultate janë prodhuar dy qeveri me jetëgjatësi të shkurtër, dhe se një qeveri e re duhet legjitimuar vetëm përmes zgjedhjeve të reja.
Ish-kryeministrin Zdravko Krivokapiç e rrëzoi rezoluta për votimin e dënimit të mohimit të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa kryeministrin Dritan Abazoviç e rrëzoi Marrëveshja Themeltare me Kishën Ortodokse Serbe.
Mali i Zi është aktualisht me qeveri teknike.