Kuvendi i Shqipërisë mban 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit të një viti më parë

Prishtinë | 26 Nën 2020 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Ka kaluar një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, ku tronditi çdo familje shqiptare. Kjo e enjte përkon edhe me seancën e radhës plenare që po zhvillohet në Kuvend. Në nisje të seancës, Kuvendi mbajti një minutë heshtje për 51 jetët e humbura nën rrënoja si pasojë e tërmetit.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi u shprehu ngushëllime gjithë shqiptarëve për viktimat e shkaktuara nga ky tërmet, i cili duket se plagët i ka ende të pashëruara.

Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë, Edi Rama ka vendosur që këtë 26 nëntor të mos e presë në Durrës, as në Thumanë, Laç apo Lezhë, por jashtë vendit.

Edhe kësaj radhe, kryeministri ka zgjedhur alternativën më të lehtë, një videomesazh në rrjetet sociale.

“I paharruar kujtimi i viktimave të tragjedisë së një viti më parë. Më e keqja është pas krahëve dhe më e mira është e gjitha përpara nesh”, shkruan ai bashkangjitur videos me momentet më frikësuese të tërmetit. Më pas nis të tregoi mënyrën se si u zgjua atë natë dhe gjithë kalvarin e vuajtjeve që pasoi ai tërmet.

Edhe pse, më shumë se kurrë, sot qeveria shqiptare, çdo i majtë apo i djathtë duhej të ishin aty ku ndodhi tragjedia, duket se zgjedhja nuk ka qenë kjo.

Sot, në Durrës, Thumanë, apo çdo qytet i cili u prek më shumë nga tërmeti i 26 nëntorit, situata vazhdon të jetë e njëjtë si një vit më parë.

Banorët vazhdojnë të qëndrojnë ende nëpër çadra pranë banesave të shtëpisë, teksa shpresojnë që ky dimër ti gjejë me një çati mbi kokë.

Kujtojmë që nga tërmeti i 26 nëntorit mbetën të vdekur 51 persona dhe me qindra të plagosur. Dëmet materiale kanë qenë të pallogaritshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme