Këtë javë Kryesia e Kuvendit ka dështuar që të caktojë seancë plenare të rregullt. Ndonëse pati disa përpjekje, kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit nuk kanë arritur të mblidhen, shkruan sot Koha Ditore.
Fillimisht mbledhja ishte thirrur për të enjten e kësaj jave. Por ajo nuk është mbajtur, në mungesë të kuorumit. Pas dështimit, zyra për media e Kuvendit kishte dërguar njoftimin se mbledhja do të mbahej të premten, por vetëm një orë më vonë, po kjo zyrë ka njoftuar për shtyrje të saj për një ditë tjetër, pa treguar saktësisht se për kur.
Dështimi i mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë nga sekretaria e Kuvendit është arsyetuar me mungesë kuorumi, ndërkohë që për monitoruesit e punës së Kuvendit dhe për opozitën ky është një tregues se Kuvendi nuk është duke funksionuar në mënyrën e duhur, dhe se lë pezull një numër të madh të projektligjeve që janë në pritje për t’u shqyrtuar nga deputetët..