Kuvendi ka miratuar vetëm 13 ligje nga 141 sa janë planifikuar, që i bie rreth 9% e agjendës së përgjithshme legjislative, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).
“Kuvendi i Kosovës përgjat kësaj legjislature ka pasur performancë të dobët në përmbushjen e funksionit të legjislativ dhe atij mbikëqyrës, meqenëse ka ndikuar disa faktorë që e kanë penguar punën e Kuvendit në këtë drejtim”.
“Në radhe të parë kemi pasur ndryshimin e qeverive gjë që kishte ndikuar në vonesat të cilat kishin pasuar për shkak të mos caktimit të mandatarit, e më pastaj edhe situata me pandeminë e cila kishte pasivizuar ndjeshëm punën e kuvendit, për shkak edhe të një numri të deputetëve të cilët ishin infektuar me Coronavirus. Në këtë drejtim kuvendit deri më tani ka pasur vetëm 13 gjithsej nga 141 ligje sa kanë qenë të planifikuara që i bie diku rreth 9% e agjendës së përgjithshme legjislative”.
Cakolli tutje ka shtuar se në kuadër të agjendës Qeveria e vendit ende nuk ka sjellë 75% të projektligjeve të cilët i ka paraparë në agjendën e saj. Ai theksoj se vetëm 23 projektligje janë në procedurë të shqyrtimit në Kuvend.
Sipas tij, komisionet gjatë sesionit vjeshtor kanë pasur një dinamik më të shtuar të punës.
“Në kuadër të agjendës qeveria ende nuk ka sjellë diku rreth 75 % të projektligjeve të cilat i ka paraparë në agjendën e saj legjislative, ndërsa vetëm 23 projektligje apo 16% e totalit të projektligjeve janë në procedurë të shqyrtimit në kuvend, qoftë në mes të dy leximeve në komisione apo ende janë në procedurë të shqyrtimit në lexim të parë. Ajo çfarë është vërejtur është se komisionet të paktë në sesionin vjeshtor kanë një dinamik më të shtuar të punës derisa në sesionin pranveror të njejtat kishin realizuar vetëm 140 mbledhje, dhe një pjesë e të cilave kanë qenë edhe mbledhje virtuale”
Mes tjerash ai thotë se komisionet dhe seancat janë karakterizuar edhe me mungesë të kourumit.
“Ajo çfarë i ka karakterizuar komisionet por edhe seancat ka qenë mungesa e kourumit qoftë për vendimmarrje apo për mbajtjen e këtyre mbledhjeve, ne kemi pasur rasti ku për marrëveshje ndërkombëtare është dashtë të vinë tri apo katër herë në shqyrtim në kuvend, ndërsa edhe për projektligjet që nevojitet shumicë e thjesht prej vetëm 61 deputetë të pranishëm nuk janë votuar dhe është dashtë ta zënë projektligjin për rimëkëbje për ekonomike, ku është miratuar në lexim të parë vetëm pas tentativës së shtatë”.
“Kjo flet shumë edhe për një brishtësi të koalicionit qeverisës për të siguruar votat e nevojshme, meqenëse në të shumtën e rasteve kanë qenë votat e deputetëve të koalicionit qeverisës ato që kanë munguar”.
Tutje Cakolli tha se edhe opozita nuk ka treguar konstruktiviret në votimin e disa pikave. Mirëpo sipas tij, ajo çka ka ndikuar në acarimi e raporteve ndërmjet pozitës dhe opozitës është edhe gjuha joparlamentare gjatë seancave.
“Edhe opozita nuk kanë treguar konstruktivitet sa i përket votimit të disave pikave, edhe pse vlen të përmendet që koalicioni Qeverisës është ai i cili është përgjegjës për sigurimin e votave të nevojshme. Dy çështjet kryesore që është ballafaquar kuvendi përgjatë këtij viti janë dialogu me Serbinë dhe rimëkëmbja ekonomike. Sa i përket dialogut kuvendi ka tentuar që përmes mekanizmave mbikëqyrës të cilët janë iniciuar nga ana e partive opozitare sidomos nga VV-ja të ushtrojë mbikëqyre ndaj ekzekutivit, ndonëse ka raste ku anëtarët e ekzekutivit kanë refuzuar të jenë llogaridhënës ndaj Kuvendit”.
“Përveç pamundësisë procedurale për të kaluar projektligjet e caktuara, faktorë tjetër që ka ndikuar në acarimin e raporteve ndërmjet pozitës dhe opozitës ka qenë edhe përdorimi i gjuhës jo parlamentare që tash është kthyer në një trend të zakonshëm”, ka thënë ai për EO.