Kuvendi Komunal i Rahovecit ka mbajtur mbledhjen e tretë të rregullt për këtë vit, ku u diskutuan çështje të rëndësishme për komunën dhe qytetarët, përfshirë projektet infrastrukturore, menaxhimin e pronave dhe propozimin për themelimin e Muzeut Etnografik në Drenoc, raporton Ekonomia Online.
Mbledhja, e drejtuar nga Kryesuesi i Kuvendit, Arbër Zenuni, u zhvillua në prani të kryetarit të komunës, Smajl Latifi, nënkryetarit Fatmir Iska, drejtorëve të drejtorive komunale dhe përfaqësuesve të institucioneve e mediave.
Seanca u hap me një minutë heshtje në nderim të të rënëve për liri dhe vazhdoi me pyetje dhe diskutime nga anëtarët e kuvendit. Drejtorëve të drejtorive dhe kryetarit të komunës iu drejtuan pyetje për çështje të ndryshme, përfshirë raportin e DKA-së me drejtorët e shkollave, buxhetin për shkollën e Krushës, kontratën për furnizimin me pelet si dhe për projektin e sheshit qendror dhe rrugëve të qytetit.
Një ndër çështjet kryesore të rendit të ditës ishte themelimi i Muzeut Etnografik në Drenoc, propozim që u miratua nga anëtarët e kuvendit. Gjithashtu, u diskutua dhe miratua bartja e mjeteve vetanake të pashpenzuara nga vitet e kaluara për vitin 2025 si dhe u votuan vendime për menaxhimin dhe dhënien në shfrytëzim të pronave komunale.
Nënkryetari i komunës, Fatmir Iska, siguroi se të gjitha pyetjet dhe shqetësimet e ngritura do të marrin përgjigje të detajuara në mënyrë elektronike.
Të gjitha pikat e rendit të ditës u votuan me shumicë votash nga anëtarët e kuvendit, duke i hapur rrugë zbatimit të projekteve dhe politikave të rëndësishme për komunën e Rahovecit.