Të enjten është mbajtur mbledhja e rregullt e Kuvendit të Komunës së Drenasit e cila kishte 7 pika për rend dite. Në mbledhje merrnin pjesë, Kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci, kryesuesi i Kuvendit, Naim Bazaj, anëtarë të Kuvendit të Komunës, përfaqësues të OSBE-së dhe media. Kryetari Lladrovci raportoi për punën gjashtëmujore para anëtarëve të Kuvendit.
Në këtë seancë, janë miratuar të gjitha pikat e rendit të ditës, ndërsa në fillim te seancës, është propozuar pika e tetë për rend dite e ndryshme, për të paraqitur pyetje ekzekutivit nga ana e deputetëve.
Me ndryshime është votuar proces verbali i mbledhjes së mbajtur me datën 23.05.2017, ndërsa Kryetari i Komunës ka paraqitur para anëtarë të Kuvendit raportin e punës, Janar-Qershor 2017 i cili është diskutuar nga të pranishmit.
Po ashtu është diskutuar edhe Raporti Financiar për realizimin e buxhetit komunal janar-qershor të këtij viti. Pas disa diskutimeve, me shumicë votash është votuar edhe propozim vendimi për dhënien në menaxhim-shfrytëzim të përkohshëm të parkingut të automjeteve që gjendet në hapësirat e Stacionit të Autobusëve për shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Me shumicë votash po ashtu ka kaluar edhe propozim vendimi për ridestinimin e mjeteve nga kategoria e shpenzimeve kapitale për Drejtorinë e Kulturës. Po ashtu me shumicë votash ka kaluar edhe propozim vendimi për ridestinimin e mjeteve financiare nga mbetjet e projekteve kapitale për realizimin e projekteve të tjera në Drejtorinë e Urbanizmit.
Ndërsa me shumicën e votave ka kaluar edhe propozim vendimi për ridestinimin e mjeteve financiare nga subvencionet e disa drejtorive dhe zyrës së Kryetarit për pagesën e bursave për student në Drejtorinë e Arsimit.