Kuvendi mban nesër seancë të jashtëzakonshme për ndotjen e ajrit

Prishtinë | 30 Jan 2018 | 10:59 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës do të mbaj nesër seancë të jashtëzakonshme për ndotjen e ajrit në orën 15 pas shqetësimeve nga matjet e fundit të ajrit në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se në këtë seancë, pas diskutimit pritet të miratohet një strategji afatgjate përmes së cilës do të caktohen obligimet ose detyrimet që do të ndërmarrin të gjitha institucionet përgjegjëse.

“Në mëngjes kemi parë fëmijë që shkojnë në shkollë me maskë dhe jemi vendi më i ndotur në botë, kjo nuk është mirë për vendin”.

Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje, tha se e përkrahin një seancë të tillë, por ka pohuar se Kuvendi duhet të nxjerr rezolutë për gjendjen e ajrit e jo rekomandime.

Sipas saj, pa vendosjen e filtrave të ajrit dhe kontrollimit të cilësisë se naftës nuk do të tekë përmirësim të cilësisë së ajrit.

Elmi Reçica, nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo parti ka për synim krijimin e një mundësie afatgjate për përmirësimin e mjedisit në vend.

“PDK-ja ka marrë një nismë të tillë, janë bërë dy veprime të shpejta të qeverisë dhe komunës, ne jemi për të krijuar një mundësi afatgjate për përmirësimin e mjedisit në vend. Ne të insistojmë një mekanizëm të përbashkët nga qeveria dhe komunat e tjera, por edhe nga parlamenti që të hapim rrugën ligjore për të vepruar”, tha Reçica.

Me iniciativën e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli janë mbledhur 40 nënshkrime për seancën e jashtëzakonshme për ndotjet e ajrit.

Zyrtarë të Komunës së Prishtinës janë takuar dje ndaras me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si dhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, me kërkesa konkrete për hapat që duhet ndërmarrë bashkërisht për të ndikuar kështu në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në kryeqytet.

Në takimin e përbashkët me këto institucione, të mbajtur në Komunë të Prishtinës, palët u dakorduan që nga 31 janari të fillohet me zbatimin e masave emergjente, që janë të përkohshme deri në një vendim tjetër, bën të ditur Komuna e Prishtinës, nëpërmjet një njoftimi.

Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se tashmë gjashtë ekipe të Drejtorisë së Inspeksionit janë në terren për të kontrolluar dokumentacionin e automjeteve transportuese, dhe për të verifikuar nëse e kanë bërë kontrollimin sipas ligjit çdo 6 muaj.

Tri ekipe të tjera të Inspeksionit, janë aktivizuar në akset kryesore të hyrjes në Prishtinë, për t’i ndaluar taksitë ilegalë që vijën nga komunat e tjera.

 

Të ngjashme