Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare të enjten, më 7 korrik, në orën 10:00, në të cilët do të shqyrtojë një varg projektligjesh dhe raportesh.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Kadri Veseli.
Në mbledhjen e të enjtes, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet për herë të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016 dhe ai për ndihmën shtetërore, ndërsa për herë të dytë, Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.
Më pas, do të emërohet anëtari i Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës dhe të zgjidhet një anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, si dhe zëvendësdrejtori i Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit.
Mbledhja e Kuvendit do të vazhdojë me shqyrtimin e tre raporteve të institucioneve të pavarura, për vitin 2015: Raportit të Radiotelevizionit të Kosovës, Raportit të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe Raportit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Kryesia, në mbledhje e sotme, vendosi t’i propozojë Kuvendit që të shpallë 5 Shtatorin “Ditë të Bamirësisë – Nëna Terezë”, e cila u radhit si pikë e radhës në seancës e të enjtes.
Në bazë të rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa, Kryesia shqyrtoi dhe miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për tremujorin e parë të vitit 2016, të cilin para Kryesisë e prezantoi sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi.