Kuvendi i Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Programi Fulbright i Shkëmbimit Akademik, i cili mundëson bursa studimore për studentët nga Kosova në SHBA.
Miratimin e kësaj marrëveshje e ka përshëndetur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë për të rinjtë kosovarë.
“Fulbright kaloi. Studentët dhe studiuesit tanë, do të kenë mundësi të studiojnë në Universitetet më prestigjioze amerikane, përmes bursave gjatë pesë viteve të ardhshme, falë marrëveshjes Fulbright mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje, do të thotë shumë për bashkëpunimin dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara, për të rinjtë tanë, të cilët pas shkollimit kthehen dhe japin kontribut në shtet-ndërtimin e Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari Veseli.
Projektligjin e ka prezantuar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili para deputetëve ka shkoqitur aspekte përmbajtësore të tij.