Gjatë diskutimit të Propozim-rezolutës për heqjen e romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Dardan Sejdiu, në emër të GP të PSD-së, ka theksuar se heqja e romingut mes dy vendeve rritë bashkëpunimin tregtar dhe ul shpenzimet për qytetarët.
“Heqja e romingut me Shqipërinë rritë intensitetin e komunikimit mes qytetarëve dhe bashkëpunimin tregtar. Kjo iniciativë është në rregull pasi që dy qeveritë kanë shprehur vullnetin për këtë gjë. Ekziston një vullnet i AKEPIT-it (Agjenci për Komunikim e Shqipërisë) të heqim tarifat e romingut mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Sejdiu.
Dardan Molliqaj, parashtruesi i rezolutës, tha se heqja e romingut me Shqipërinë do të rrisë komunikimin mes vendeve dhe do ul koston e qytetarëve të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
“Mbi 1 milion thirrje prej telefonave të Kosovës shkojnë në drejtim të Shqipërisë, dhe mbi 1 milion pranim të thirrjeve. Çmimi është 3-8 herë më i madh sesa komunikimi mes operatorëve vendorë. Komunikimet që i bëjnë qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë bëjnë komunikime ndërkombëtare”.
“Sipas nesh nisma rrit komunikimin mes vendeve dhe njerëzve dhe ul koston e qytetarëve të Kosovës. Si do ta përballojnë kompanitë një inciativë të tillë, në fillim do të ketë rënie por pastaj për shkak të sasisë së rritur të thirrjeve që do të jenë më të lira do të kompenzohen ato humbje”.
“Rezoluta përmban:
– Qeveria të nisë procedurat për arritjen e marrëveshjes për heqjen e tarifave të romingut;
– Themelimi i komsionit Qeveri-Kuvend për eliminimin total të tarifave;
– Anëtarët e komisionit të jenë përfaqësues të partive politike që janë deputetë në këtë legjislaturë;
– ARKEP DHE AKEP të përkujdeset për implementimin e programeve.
– Komisioni i përbashkët të raportojë në Kuvend për arritjen e marrëveshjes pas 2 muajsh që është miratuar kjo rezolutë”.
Mimoza Kusari-Lila, në emër të GP LDK-së, tha se kjo parti e mbështet këtë rezolutë por, sipas saj, duhet të punohet që kjo iniciativë të gjejë zbatimin e duhur e jo të mbetet si marrëveshje e pazbatueshme.
“E mbështesim këtë iniciativë të GP të PSD-së. Uroj që kjo iniciativë dhe ky bashkëpunim mos të jetë në mesin e bashkëpunimeve që janë shprehë në raportet mes dy qeverive, për vullnetin që shprehin dy qeveritë, por nuk kanë gjetur zbatim”.
Memli Krasniqi, në emër të GP të PDK-së, tha se edhe kjo parti e mbështet këtë inciativë.
“Heqja e barrierave për roming me Shqipërinë do ndikonte edhe në heqjen e barrierave edhe me vendet e tjera. Integrimi i tregjeve të komunikimit duhet të ndodh jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe me BE-në”.
Muharrem Nitaj, në emër të GP të AAK-së, tha se e mbështesin këtë iniciativë.
Milaim Zeka, në emër të GP të Nismës, tha se e mbështesin këtë inciativë duke thënë se kompania Vala dhe një telefoni mobile e Shqipërisë kanë synuar në investimin për bashkëpunim, që sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë vetëm janë shpëlarë paratë, raporton EO.
“Ne si nismë do ta mbështesim, i kisha sugjeru Dardanit që me këtë rezolutë edhe t’i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të lehtësojë kalimin e qytetarëve që presin me orë të tëra në kufi. Do të ishte mirë me një investim të para disa viteve mes Valës dhe një kompanie të telefonisë mobile në Shqipëri, kam informata se është bërë kjo vetëm për shpëlarje të parave dhe nuk është bërë asnjëherë ky investim”.
“Institucionet të fillojnë me hulumtimin e kësaj kontrate që është skandal që do duhej të hetonte Prokuroria e Kosovës”.
Glauk Konjufca, në emër të GP të LVV-së, ka thënë se tarifat e larta mes dy shteteve të kontinenteve të ndryshme janë të pakuptueshme, e lëre më mes shqiptarëve të ketë tarifa të romingut kaq të larta.
“Tarifat e romingut janë aq të larta. Është e paprecendentë që ndodhin për dy shtete që janë të kontinenteve të ndryshme, e lëre më shqiptarët mes vete. Nëse heqen tarifat e romingut mes Kosovës dhe Shqipërisë do të kishte efekte vetëm pozitive, nëse bëhet një marrëveshje e tillë kjo nuk është marrëveshje kundër dikujt, por për të mirën tonë”.
Zv.kryeministri Enver Hoxhaj iu drejtua deputetëve duke thënë se vetëm votojeni ju se do të ketë zbatim sa më të shpejtë.
Propozim-rezoluta për heqjen e romingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. U votua nga 70 deputetë, 69 për, 0 kundër dhe 1 abstenim. Kuvendi miratoi rezolutën për heqjen e tarifave të romingut mes Kosovës dhe Shqipërisë.