Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, po e mban peng për një kohë të gjatë procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Për këtë, Komisioni Evropian ka vënë një kusht që Kosova duhet ta përmbushë, në rast se dëshiron liberalizimin në zonën schengen.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka emëruar një komision të ri të cilët janë duke punuar vazhdimisht për të zbuluar fakte të reja drejt ratifikimit të kësaj marrëveshje. Sipas këtyre anëtareve të komisionit, marrëveshja ka nevojë për një ekspertizë ndërkombëtare.
Lidhur me këtë, në një prononcim për “Indeksonline”, kryetarja e komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra ka treguar se i kanë kryer të gjitha obligimet institucionale që qytetarët të lëvizin të lirë.
Por, sipas saj, janë në pritje të Qeverisë që të ua japin dritën ‘jeshile’ që e njëjta të vi si marrëveshje në Kuvend.
“Komisioni për Integrime ju e dini që nuk është komision që vjen drejtpërdrejtë , realisht marrëveshja nëse vjen tash prej qeverisë do të vije në komisionin për politikë të jashtme. Mirëpo ne si komision natyrisht që jemi të interesuar që me i mundësu me i kry sa më herët të gjitha obligimet tona institucionale për lëvizje të lirë, e që përfshihen edhe kriteret e parashtruara. Aktualisht kemi një përbërje të re të komisionit nga kryeministri dhe po presim që kur do të vjen marrëveshja në Kuvend. Në qoftë se e sjell qeveria atëherë ne si Kuvend duhet me prit dritën jeshile në radhë të parë prej qeverisë që me ardhë si marrëveshje në Kuvend dhe me votu ne si deputet”, ka thënë Deliu-Kodra.
Më tej, deputetja e PDK-së ka folur se ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me shtetin fqinjë pa dyshim që mundëson heqjen e vizave, pasi që sipas saj, për këtë qëllim BE-ja ka vënë një kriter obligues.
“Shumë herë është thënë se është kriter, përderisa është kriter ne si institucion e kemi për obligim që të marrim masa dhe sa më herët të vjen në Kuvend dhe të shqyrtohet si marrëveshje”, ka përfunduar ajo.