Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se për vite të tëra pronat komunale janë shfrytëzuar pa ndonjë kompensim, raporton Ekonomia Online.
Ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal është diskutuar për rekomandimet e komisioneve për verifikimin dhe vlerësimin e kontratave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, shtoi se një gjë e tillë më nuk do të ndodh.
Rama ka sqaruar për këtë ka formuar tri komisione profesionale të cila kanë dal me një varg rekomandimesh, duke shtuar se pronat komunale nuk do të mund të shfrytëzohen më pa leje dhe kompensim.
“Kam themeluar tre Komisione për pronën komunale, për një temë kaq të rëndësishme. Një numër i madh i këtyre pronave është shfrytëzuar por kryeqyteti nuk ka pasur ndonjë të mirë”.
“Tash pronat që janë të kryeqytetit do të rregullohet dhe do të jenë në të mirë të qytetarëve, e falënderojë drejtoreshën, Dorëntina Maloku”.
Shefi i Zyrës Ligjore Arben Kqira, tha se Komisionit profesional për verifikimin dhe vlerësimin e kontratave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale ka rishikuar 6 kontrata.
Ai duke folur për ato kontrata tha se kanë hasur në disa problem për mbledhjen e informacioneve për dy kontrata.
“Komisioni gjatë kësaj periudhe ka pasur vështirësi sidomos me këto kontrata, sepse kemi pas mungesë të informacionit për me ardh deri të gjeturat. Është paraqitur edhe raporti”, tha ai.
Nora Kelmenid nga VV-ja, pati ankesa për dy kontrata të cilat sipas saj, kanë probleme, ajo pati pyetje për kontratën për Qendrën Kardiale si dhe kontratën për Spitalin Amerikanë.
“Në total i keni verifikuar 6 kontrata, interesante është kontrata për Qendrën Kardiale. Shumicën e dokument i keni në drejtori. Qendra Kardiale, në vitin 2003 është vendosur që Ismet Beqiri, në vitin 2005 është ndryshuar parcelë për ndërtim e cila gjendet në kampusin e QKUK-së. Pas caktimit të lokacionit bazuar në këtë kontratë palët janë pajtuar që 10 vite të jetë afati, kjo pas këtij afati kontrata mund të vazhdohet”.
“Më vonë në vitit 2007 i lejohet investitorit që të ndërtojë, më pas ka pasur dilema se a mund të ndërtohet objekti, në vitin 2017 ka skaduar kontrata, sipas të gjeturave të komisioni është vazhduar në heshtje kontrata edhe për 10 vite me qenë se palët nuk kanë pasur ankesa. Si vepron Spitali Amerikan nëse nuk ka pranim teknik”, tha ajo.
Jeta Rafuna-Hasani nga LDK-ja, e përgëzuar Komisioni për punën e bërë duke shtuar se gjetjet nga janë në linjë me interesin publikë.
“Vlerësimi dhe verifikimi i kontratave na tregon se janë gjetur 6 kontrata, kontrata për dhënien në shfrytëzim për kontrata për 99 vite ka ecuri të mirë. Kontrata për federatën e futbollit ka ecurinë e mirë, kontrata për fondacionin për mbrojtjen e kafshëve është në linjë me interesin publikë”.
“Kontrata me qendrën Kardiale është valide, vlerësoj që është forma më e mirë që të legjitimohet kjo kontratë. E përgëzoj komisionin për punën dhe rekomandimet që janë dhënë në raport janë të mira” tha ajo” tha ajo.
Muhamet Selamni nga PDK, tha se ky grup ka bërë punë të mirë dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim.
“Edhe grupi jonë e përshëndet analizimi për këto prona dhe jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë për hapa të mëtutjeshëm”, tha ai.
Gëzim Mehmeti nga AKR, tha se pushteti do ta ketë përkrahjen e opozitës, por sipas tij, dy prej gjashtë kontratave kanë problem dhe duhet të ndërmerren hapa ligjor, raporton EO.
“E përgezoj anëtarët për paraqitjen e detajuar. Në një kontest tjetër do të shtjelloj një çështje tjetër, ne do ti përkrahim investimet në kryeqytet. Çdo investitor do ta përkrahim. Nuk mundet as një investitor që të mos i respektoj kontratat, në këtë rast mendoj që 4 kontrata janë në interes publik, dy janë në kontest. Duhet të merren veprime ligjore, por as se si të ju shkaktojmë dëme kompanive që kanë investuar miliona. Do ta keni përkrahjen e gjithë opozitës në këtë rast”, tha ai.
Rendi i ditës së seancës së jashtëzakonshme:
1. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime të komisionit profesional për verifikimin e shfrytëzimit dhe statusit të pronës komunale në Zonën Industriale;
2. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime të komisionit profesional për verifikimin dhe vlerësimin e kontratave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale;
3. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime të komisionit profesional për verifikimin e shfrytëzimit dhe të statusit të banesave në lagjet “Bregu i Diellit”, “Fusha e Pajtimit” dhe “Hajvalia”.