Kuvendi i Kosovës nesër në ora 10:00 do të mbajë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për rastin e dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në rastin “Drenica”.
Kështu ka bërë të ditur deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Ndryshimi i orarit të mbajtjes së seancës së jashtëzakonshme është bërë për shkak të vonesës në lajmërimin e deputetëve për seancë. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe për këtë janë mbledhur 40 nënshkrime.Në këtë seancë të jashtëzakonshme do të diskutohet për vlerat e UÇK-së në raport me situatën e krijuar pas dënimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së në rastin “Drenica”, tha Dërguti.
Ndërsa Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka thënë se e kanë pranuar një kërkesë të iniciuar nga PDK-ja për një seancë për të diskutuar për zhvillimet e fundit.
“Nesër do të kemi seancë të jashtëzakonshme në ora 10:00”, tha Veseli.