Zyrtarë të Lidhjes Demokratike vazhdojnë të kërkojnë një marrëveshje të baraspeshuar me Lëvizjen Vetëvendosje dhe që pjesë e hisesë së pushtetit të jetë edhe posti i presidentit. Ata janë shfaqur optimistë që koalicioni të mbërrihet para se të mbahet seanca konstituive më 26 dhjetor, për të cilën përgatitjet do të nisin sot (e mërkurë).
Administrata e Kuvendit ka thirrur në orën 11:00 mbledhjen e Kryesisë për të përgatitur seancën konstituive të legjislaturës së shtatë. Sipas nenit 8 të Rregullores së Punës së Kuvendit, përgatitja e mbledhjes konstituive është përgjegjësi e kryetarit nga legjislatura e mëparshme, shkruan sot “Koha Ditore”.
“2. Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike”, thotë rregullorja.
Rendi i ditës i mbledhjes konstituive të legjislaturës duhet ta përfshijë formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandateve, zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë (5) nënkryetarëve të Kuvendit. Ndërkaq seanca konstituive është caktuar më 26 dhjetor.