Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të ratifikoj marrëveshjet ndërkombëtare për shkak të mungesës së kuorumit, raporton Ekonomia Online.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci tha se do të shtyhet për më vonë pika për “Ratifikimi i amandamentitmit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10”.
Po ashtu nuk ka arritur të kalojë as “Marrëveshja bilaterale me Qeverinë e Kosovës dhe Luksemburgut për programin për mbështetje shëndetësore pjesa dy”.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se ‘projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes bilaterale me Luksemburgun për projektin e bashkëpunimit për programin për mbështetje shëndetësore pjesa dy”.
“Miratimi i këtij ligji bën të mundur që të zbatohet marrëveshja e nënshkruar në qershor të këtij viti. Ky propozim synon që përmes kontributit për zhvillim të mbështesë zbatimin e programit për reformimin e sektorit të shëndetësisë. Kjo do të mundësoj ngritjen e shërbimeve shëndetësore dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve shëndetësore”.
Ndërsa, deputetja e VV-së, Fatmire Kollçaku, ka thënë se Komisioni për Shëndetësi ka propozuar miratimin e këtij projektligji.
“Projektligji ka rëndësi të madhe për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë në Kosovë. Në emër të GP LVV i ftoj gjithë deputetët që në zbatim të Kushtetutës ku parashihet që të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare të kalojnë në Kuvend dhe them se miratimi mundëson zbatimin e marrëveshjes me Luksemburgun. Pra, objektiva është në bashkërendim me programin e qeverisë për sektorin e shëndetësisë, për riorganizimin e reformimin e këtij sektori. Konsiderojmë që nuk ka asnjë arsye që ky projektligj të mos përkrahet”.
Ndërsa, deputeti Bedri Hamza nga PDK-ja, kërkoi më shumë transparencë sa i përket borxhit publik.
“Duke i parë ambiciet e qeverisë që brenda një viti të rrisë borxhin publik për gjysmë miliardi. Kjo tregon se do t’i ngarkojmë gjeneratat e reja me këto pa asnjë sqarim. Ne si GP kemi kërkuar dhe po insistojmë të kërkojmë më shumë transparencë e më shumë llogaridhënie dhe më shumë përgjegjësi për ngarkimin e gjeneratave të reja me borxh publik. Ne këto po i diskutojmë në komisioi dhe derisa po vazhdon kjo situatë nuk mundemi me e përkrah. Ne kërkojmë më shumë detaje dhe kemi të drejtë për këtë. Nëse rritet borxhi publik për 500 milionë euro dhe nuk kemi transparencë”.
Shefi i GP-së të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se kjo parti nuk e mbështet këtë projektligj.
“Kolegu Pal Lekaj ka kërkuar që ky borxh publik të bëhet brenda ligjeve në fuqi. Kërkojmë që të ulemi dhe të shohim se a është ky program në përputhje me kornizat buxhetore. E dyta, siç po shihet ne në sallë nuk i kemi as 80 deputet e ajo që dua të ngris këtu është që a duam të vendosim që mos me u votu apo me i votu. Dua të di a janë 80 deputet në sallë dhe sa dimë që qëndrimi i PDK-së është i njëjtë me të AAK-së. Çështja e tretë, kur flasim për një konsensus politik në vend është në rregull të kemi një debat, në seancën e fundit kemi pas një debat por, ministri nuk na ka bindë”.
Po ashtu në mungesë të kuorumit nuk është ratifikuar as marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) .
Ministri i Financave Hekuran Murati tha se ky projekt bashkë financohet nga MAShT, me 300 mijë euro. 2.5 milionë euro e financon agjencia austriake. Ratifikimi i kësaj marrëveshjes ndërmjet MAShT është shumë e rëndësishme për ngritjen e cilësisë së arsimit.