Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovë organizoi pritje për korin diplomatik.
Në prag të festave të fundvitit, Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë organizoi sot pritje për korin diplomatik në Kosovë, në të cilën mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.
Hapjen e eventit në emër të Komisionit për Punë të Jashtme e bëri kryetari i këtij komisioni, Haki Abazi, i cili në fjalën e tij të rastit falënderoi ambasadorët për punën dhe mbështetjen e dhënë përgjatë tërë vitit. Ai numëroi sukseset e Komisionit, duke thënë se është bërë një punë dinamike gjatë vitit që po lëmë pas. Deputeti Abazi po ashtu përmendi liberalizimin e vizave dhe angazhimin që duhet vazhduar në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe organizatave tjera ndërkombëtare.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke falënderuar ambasadorët dhe përfaqësuesit e tjerë diplomatikë të akredituar në Prishtinë për mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës dhe qyetetarëve të saj, theksoi se partneriteti me shtetet mike po krijon të ardhme për të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Tutje kryetari Konjufca theksoi se përkundër sfidave gjatë këtij viti, në nivel vendi dhe më gjerë, ka pasur edhe zhvillime të frytshme të cilat i kanë dhënë Republikës së Kosovës imazh shumë të mirë ndërkombëtar.
Duke uruar për një vit edhe më produktiv, kryetari Konjufca theksoi se Republika e Kosovës është në rrugën e duhur dhe se institucionet shtetërore janë dhe do të jenë gjithmonë pranë qytetarëve tonë.