Kuvendi i Kosovës ka dështuar të nxjerrë rezolutë në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, nga autoritetet serbe, kjo si pasojë e mungesës së kuorumit. Mirëpo gjatë debatit disaorësh, faji kryesor për moslirimin e Thaçit i është faturuar Qeverisë, e cila nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Deputeti iniciues i këtij debati, Gëzim Kelmendi, ka thënë se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, e cila nuk e do luftën dhe dhunën. “Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, Kosova nuk e do luftën dhe dhunën, Kosova nuk e harron të kaluarën, por Kosova e do dhe duhet ta mbrojë qytetarin e saj”, ka thënë Kelmendi, i cili propozoi ndërprerjen e menjëhershme të dialogut me Serbinë.
“Dhe kusht për vazhdimin e dialogut të jetë lirimi i menjëhershëm i drejtorit të Policisë, Nehat Thaçit, dhe zhvleftësimi i të gjitha aktakuzave dhe fletarrestimeve për qytetarët e Republikës e që kanë të bëjnë me luftën e fundit çlirimtare të Kosovës dhe periudhën e viteve të 90-ta”, shtoi ai.