Ilir Kërçeli, i cili është shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ky institucion në 12 muajt e fundit ka kursyer afro 2.5 milionë euro nga shpenzimet e ndryshme.
Sipas Kërçelit, mjetet që i janë kthyer buxhetit të Kosovës nga pagat dhe mëditjet kapin shifrën e 864 mijë e 992 euro e 38 cent.
Më tej, ai bëri publike edhe kursimet që janë bërë në mallra dhe shërbime, ku buxhetit të Kosovës nga kjo kategori i janë kthyer 681 mijë e 287 euro e 28 cent.
Tutje, Kuvendi i Kosovës i ka kthyer në buxhetin e shtetit edhe 130 mijë e 200 euro për subvencione dhe transfero si dhe 732 mijë e 933 euro për shpenzime kapitale, ku Kërçeli tha se 50 për qind e kësaj shume është siguruar si donacion, transmeton Klankosova.tv.
Pra, totali i kursimeve nga pagat dhe shpenzimet e tjera, sipas Kërçelit, është 2 milionë e 479 mijë e 479 euro dhe 67 cent.