Kuvendi voton në parim ndarjen buxhetore të vitit 2026

Prishtinë | 16 Shk 2026 | 15:25 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Kosovës me 66 vota për, 32 kundër dhe 5 abstenime, në parim e ka miratuar projektligjin për ndarjen buxhetore të vitit 2026, raporton Ekonomia Online.

Pas miratimit në parim të buxhetit, shumica parlamentare ka votuar edhe propozimin e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje për të anashkaluar Rregulloren e Kuvendit, në mënyrë që buxheti të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Po ashtu, është vendosur që seanca për shqyrtimin e tij në lexim të dytë të mbahet të premten, më 20 shkurt.

Gjatë debatit në seancën e së premtes, përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan buxhetin, duke vlerësuar se ai nuk pasqyron premtimet e dhëna nga kryeministri Albin Kurti në ekspozenë e tij pas rizgjedhjes.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti deklaroi se pas dorëzimit të programit qeverisës në Kuvend, do të paraqitet edhe rishikimi i buxhetit para deputetëve.

Kurti: Fillimisht do ta sjellim programin qeveritar, më pas rishkimin e buxhetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme, ka thënë se rishikimi i buxhetit nuk mund të bëhet pa prezantuar planin e programit qeverisë, raporton Ekonomia Online.

“Ashtu siç e parasheh Ligji për financat publike, brenda vitit 2025, saktësisht më 31 tetor 2025, në mbledhjen e Qeverisë ne e patëm miratuar buxhetin për vitin 2026, i cili është dashur të diskutohej dhe aprovohej në nëntor dhe dhjetor të vitit që lamë pas. Por, siç e dimë, legjislatura e nëntë përfundoi ashtu si përfundoi; patëm zgjedhje të parakohshme, të lira, të ndershme dhe demokratike. Tash kemi qeveri të re, andaj do të mbajmë një mbledhje të re të Qeverisë në mënyrë që ta sjellim buxhetin e vitit 2026 tek ju, por ai nuk mund të rrijë ashtu siç është, për shkak të përbërjes së re të Kuvendit dhe Qeverisë së re. Zotimet që i kemi dhënë në fushatën e fundit, natyrisht që janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë më 11 shkurt, kur u rizgjodha kryeministër. Por, para se ajo ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë tek ju programi qeveritar.  Pra, do të ishte jo normale të sillnim buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë paraprakisht programin qeveritar. Rendi logjik i gjërave, nga kronologjia, është ky: zotimet në fushatë, ekspozeja e kandidatit për kryeministër, programi i ri qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit”, tha ai.

E një risi e buxhetit ai thotë se është paga e 13-të për sektorin publik.

“Në këtë buxhet që kemi prezantuar, natyrisht që kryefjala është shifra prej afër 4 miliardë euro, ku një e katërta, apo rreth 1 miliard euro, janë buxhetuar për investime kapitale. Normalisht, risi – por tashmë e paralajmëruar – e këtij buxheti është paga e 13-të e sektorit publik, dhe kjo sivjet nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë”, nënvizoi Kurti.

Kurti u përgjigj kritikave duke thënë se duhet të pranohet se nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tani sipas tij kemi progres stabil.

“Ne këtu u kritikuam se ky është buxhet i status quo-së. Pjesërisht besoj që u përgjigja me faktin se ne duhet ta sjellim njëherë programin qeveritar dhe më pastaj rishikimin e buxhetit. Por, në anën tjetër, duhet ta pranojmë bashkërisht se nëse dikur stabiliteti ka qenë progres, tash kemi progres stabil. Pra, është njëfarë kalimi cilësor prej stabilitetit si progres te progresi stabil, me ç’rast rritja ekonomike prej së paku 4 për qind natyrisht që është stabile. Një rritje e tillë e qëndrueshme nuk është status quo e keqe”, theksoi ai.

Kurti u përgjigj dhe kritikave se buxheti është sikurse i një vendi më të varfër në Evropë.

“U tha se ky është buxhet i vendit më të varfër në Evropë. Buxheti është afër 4 miliardë euro. Kur kam marrë detyrën në vitin 2021, buxheti i trashëguar nga qeveria paraprake ka qenë 2.4 miliardë euro, që i bie një rritje prej dy të tretash. Rritja ekonomike, kur ne flasim, është rritje reale dhe jo nominale. Është rritje pasi të hiqet inflacioni. E kush e ka shumë hall inflacionin, ju lutem ta mbështetni ligjin që do të vijë së shpejti për çmimet tavan për produktet bazë. Pra, rritja është reale. Dëshirojmë edhe më shumë dhe më shpejt, por kjo rritje e buxhetit për dy të tretat brenda pesë vjetësh natyrisht që nënkupton se ne jemi të Kosovës dhe e rrisim Kosovën, jo një shtet tjetër. Kosovën e tillë siç e kemi gjetur me buxhet 2.4 miliardë euro në vitin 2021, tash e kemi sjellë në 4 miliardë euro dhe besoj se është një rritje e pamohueshme”, tha Kurti.

Hamza për projektbuxhetin: Është buxhet që menaxhon status quo-n

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se buxheti 2026 është buxhet që menaxhon status quo-në por ka hedhur edhe dyshime se pse gjithë kjo urgjencë për ta votuar atë, raporton Ekonomia Online.

 “Po e kuptoj rëndësinë që vendi me pasë buxhet dhe për asnjë arsye dhe në asnjë moment mos me pasë situata ku nuk mund t’i kryejmë pagesat për të gjitha kategoritë. Mirëpo, me na tregu vullnet të mirë edhe jemi të bindur që kemi bërë mirë, që kemi votuar vendimin për zgjatjen e shfrytëzimit të ndarjes buxhetore.

Edhe sot treguam vullnet të mirë, sepse votuam që kjo pikë e rendit të ditës të vendoset sot, sepse kërkon shmangie prej procedure dhe kërkon dy të tretat e votave të pranishme. Nuk e kuptoj pse kjo urgjencë kaq e madhe. Ne nuk duam edhe nuk lejojmë vonesa. Por pse kjo urgjencë kaq e madhe? Po vetëm dy arsye më shkojnë ndërmend. E para, që t’i pamundësojmë deputetët, pozitës dhe opozitës, që me diskutimet e tyre sigurisht që shprehin edhe kritika, mirëpo të japin edhe propozime edhe alternativa që sigurisht ndikojnë pozitivisht në këtë dokument kaq rëndësishëm që po shqyrtojmë sot. Dhe e dyta, nuk dua me besu sepse vendi ka nevojë për institucione, ka nevojë për stabilitet dhe nuk du me besu që kjo çështje lidhet me rastin e zgjedhjes së presidentit apo presidentit apo presidentes“, tha Hamza.

Hamza ka thënë se me shpenzimet e rritura për subvencione dhe transferet e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme

“Buxheti i propozuar për vitin 2026, është  buxhet që menaxhon status quo-në. Kjo si rezultat i rritjes së shpenzimeve operative dhe posaçërisht të transferteve dhe subvencioneve. Kjo ndikon në rritjen e konsumit në periudhë afatshkurtër, por në periudhë afatgjatë, si rritje e shpenzimeve rrjedhëse, e zvogëlon hapësirën për investime kapitale. Këto shpenzime të rritura për subvencione dhe transferet e zvogëlojnë hapësirën fiskale për periudhat e ardhshme dhe sigurisht se do të ndikojnë në pamundësinë e zgjerimit të bazës prodhuese dhe eksportuese“, theksoi Hamza.

Abdixhiku: Projektbuxheti bëhet jokushtetues kur injoron kryeqytetin

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin për vitin 2026, duke thënë se ai nuk reflekton strukturën e re qeveritare, zotimet e dhëna dhe, mbi të gjitha, nuk merr parasysh buxhetin e miratuar të Prishtinës.

Në seancën e Kuvendit, ai paralajmëroi se një qasje e tillë e bën dokumentin jokushtetues dhe mund të ndikojë në qëndrimin politik të LDK-së në raport me shumicën parlamentare, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku tha se trajtimi i dokumentacionit të buxhetit do të duhej të bëhej për tri arsye.

“U dakorduam që t’i jepet mundësi deputetëve të Kuvendit të Kosovës më tepër kohë për të trajtuar një dokument shumë të rëndësishëm, gati 700 faqesh, sikurse ky buxhet – më voluminozi që mund ta ketë Kuvendi i Kosovës. Po, në anën tjetër, që t’i jepet kohë Qeverisë të sjellë një dokument të ri me tri reflektime kryesore, jo përmbajtësore, por shumë elementare. E para, të reflektojë strukturën e kabinetit qeveritar, pra të ministrive, që katër ministri të reja të kenë edhe buxhetin e tyre dhe ky buxhet të ndahet jo nga ministri i Financave ministrive të tjera, por nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

E dyta, që buxheti të reflektojë ekspozen që e prezantoi Kurti ditën e formimit të Qeverisë, në mënyrë që ato zotime të dhëna të mos jenë vetëm fjalë, por të kenë kuptim të vërtetë. Në këtë drejtim, një ekspoze pa buxhet mbetet vetëm një platformë fjalësh të thata, që, duket jo befasueshëm, do të jetë seriozisht rasti këtu”, tha Abdixhiku.

Sipas tij, buxheti duhet të respektojë edhe parimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, duke përfshirë vendimmarrjen e kryeqytetit për buxhetin e vet.

“Dhe e treta, shumë e rëndësishme për ne, për Lidhjen Demokratike të Kosovës, siç e kemi parë fatkeqësisht shumë pak e rëndësishme për ju: që buxheti i Kosovës të reflektojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë. Fjalën e kam për buxhetin e kryeqytetit. Ky buxhet i Kosovës nuk e merr parasysh buxhetin e kryeqytetit të vet. Është jo vetëm e habitshme, por jashtëzakonisht e rëndë që Kuvendit t’i sillet një dokument që nuk e respekton vendimmarrjen autonome të kryeqytetit të vet. Dhe, së këndejmi, menjëherë bëhet jokushtetues.

Sa për rikujtim, Prishtina, kryeqyteti ynë, e ka miratuar buxhetin e saj më 6 shkurt të vitit 2026. Buxheti i Kosovës është sjellë në Kuvendin e Kosovës për herë të parë më 13 shkurt 2026. Mos i ngatërroni gjërat me legjislaturën e kaluar; kjo është legjislaturë e re e Republikës së Kosovës.

Nuk ka asnjë arsye, as ligjore, as logjike, as kushtetuese, që një buxhet nacional të mos marrë parasysh vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Sikurse jemi mbledhur ne këtu në Kuvend për të vendosur mbi diçka, edhe asambleja lokale e kryeqytetit ka shprehur vullnetin e popullit të Prishtinës për ndarjet e buxhetit të vet. Pra, ka vendosur për buxhetin e vet”, theksoi ai.

Abdixhiku paralajmëroi pasoja politike nëse, sipas tij, i mohohet e drejta kushtetuese e kryeqytetit dhe e opozitës.

“Ne nuk kemi as autoritet dhe as nuk duhet të kemi vullnet ta bllokojmë kryeqytetin e Kosovës. Madje, vetëm të na shkojë mendja për të bërë një gjë të tillë është lojë me fatin e mijëra e mijëra punëtorëve, mijëra e mijëra familjeve e, mbi të gjitha, qindra mijëra banorëve që janë lodhur nga kjo përplasje e panevojshme.

Prandaj, për LDK-në është jo vetëm e rëndësishme që zotimet e dhëna për Prishtinën t’i realizojmë në tërësi ne, që e kemi marrë besimin aty, por edhe e domosdoshme që të kuptojmë relacionin që do ta ketë LDK-ja me këtë Kuvend. Nëse LDK-së i mohohet nga ky Kuvend një e drejtë kushtetuese vetëm nga vullneti i numrave të shumicës, atëherë edhe LDK-ja do të ripërcaktojë pozicionin e saj në relacion me çështje që kërkojnë edhe numrat tanë në këtë Kuvend”, tha ndër të tjera Abdixhiku.

Besnik Tahiri kritikon projektbuxhetin, thotë se nuk reflekton premtimet qeveritare

Në seancën e Kuvendit të Kosovës për ndarjet buxhetore për vitin 2026, shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, paraqiti vlerësimin e tij të buxhetit nga dy perspektiva, politike dhe teknike, raporton Ekonomia Online.

Ai theksoi se ky buxhet është miratuar më 31 dhjetor 2025 në qeverinë në detyrë dhe se vlera e linjave buxhetore, projekteve kapitale, si dhe buxheti për mallra dhe shërbime, mbetet i njëjtë.

“Në emër të grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, unë do të bëj një vlerësim të këtij buxheti prej dy perspektivave: prej asaj politike dhe prej asaj teknike, për shkak se mendoj që të dyjat e kanë vlerën e vet në mënyrë që qytetarët e Kosovës të njoftohen me çfarë dokumenti jemi duke trajtuar dhe me cilin buxhet në fakt do të operojë Kosova në këtë vit.

Ky buxhet, të nderuar deputetë që e keni përpara, është miratuar në qeveri në detyrë më 12 shkurt të vitit 2026. Por esenca është se ky buxhet është miratuar më 31 tetor të vitit 2025 më herët, dhe në tabela që përshkruajnë vijat buxhetore, përfshirë ato kapitale, buxheti për mua është i njëjtë“, tha Tahiri.

Ai theksoi se procesi i hartimit të buxhetit nuk ka pasur debat të mjaftueshëm dhe se dokumenti, sipas tij, është i përkohshëm dhe do t’i nënshtrohet rishikimit në një periudhë të shkurtër.

“Nuk ka pasur asnjë debat lidhur me këtë buxhet, asnjë lloj prezantimi, përmirësimi i këtij buxheti paraprak me ndryshimet që do të duhej të reflektoheshin edhe në tekstin e ekspozeut që e prezantoi kryeministri, po ashtu edhe nga synimet strategjike. Po flasim për një buxhet provizor, për një buxhet për disa muaj. Jemi duke folur për një buxhet që për pak muaj do t’i nënshtrohet një rishikimi, në vend që ky rishikim të kishte ndodhur në një kohë të caktuar kur ministri ose ministrja e Financave do të duhej të reflektonte mbi planet strategjike që ka.

Pra, mos harroni, jemi duke folur për një buxhet i cili nuk reflekton aspak në asgjë që është premtuar në ekspozenë e kryeministrit.

Çështja e dytë politike ndërlidhet me investimet kapitale. Nëse e shihni me kujdes buxhetin dhe vijat buxhetore, ne jemi duke folur për 81% të investimeve kapitale që janë projekte që vazhdojnë, jo iniciativa të reja. Përderisa në ekspozenë e kryeministrit dëgjuam shumë iniciativa të reja, shumë projekte të mëdha politike, që pak më vonë do t’i trajtoj“, theksoi Tahiri.

Sipas tij, rritja e buxhetit nuk duhet parë si arritje e veçantë, pasi rritja vjetore është praktikë e zakonshme në administrimin financiar shtetëror.

“Çështja tjetër që duhet ta dijë qytetari i Kosovës që po më dëgjon: kur flet dikush që ‘ky është buxheti më i madh i Republikës së Kosovës’, ju duhet ta kuptoni këtë seancë. Unë kam 14 vjet në këtë sallë dhe kam dëgjuar gjithmonë që ‘ky është buxheti më i madh’. Është rritje normale, është procedurë standarde që shteti normal, që ka pak rritje ekonomike, e rrit buxhetin për pak. Por nuk është ndonjë lavdi me thënë ‘ky është buxheti më i madh’. Me sa di unë, në historinë e Kosovës vetëm gjatë pandemisë nuk ka ndodhur. Pra, këto janë tre aspekte politike. Dhe e katërta: secili shtet dhe kjo qeveri ka një dokument strategjik që quhet ‘Korniza Afatmesme e Shpenzimeve’. Kjo është një kornizë që e drejton buxhetin dhe planifikimin buxhetor, të hyrat në një afat afatmesëm kohor. Ky buxhet nuk është në vijë me KASH-in. Pra, nuk është në vijë me dokumentet orientuese që i ka qeveria“, u shpreh Tahiri.

“Ashtu siç e parashheh Ligji për Financat Publike, brenda vitit 2025, brenda tetorit të vitit 2025, saktësisht më 31 tetor 2025, në mbledhjen e qeverisë e patëm miratuar buxhetin për vitin 2026, që duhej të bëhej diskutim e aprovim në nëntor e dhjetor të vitit që lamë pas. Por, siç e dimë, legjislatura e nëntë përfundoi ashtu si përfundoi, patëm zgjedhje të parakohshme, të lira, të ndershme e demokratike. Tash kemi Kuvend të legjislaturës së dhjetë, kemi qeveri të re, andaj edhe bëmë një mbledhje të re të qeverisë në mënyrë që të vijmë me buxhetin për vitin 2026 tek ju, por i cili nuk mund të jetë i ri ashtu siç është përbërja e Kuvendit dhe ashtu siç është qeveria e re.

Zotimet që i kemi thënë në fushatën e fundit janë të përmbledhura në ekspozenë që kam bërë më 11 shkurt kur u rizgjodha Kryeministër. Por, para se ai ekspoze të shndërrohet në buxhet të ri, duhet të vijë Programi Qeveritar. Pra, do të ishte jo normale që të sjellim tash buxhet në përputhje me ekspozenë pa e sjellë paraprakisht Programin Qeveritar. Rendi logjik i gjërave, për nga kronologjia, është kësisoj: zotimet në fushatë, ekspozeja e kandidatit për Kryeministër, Programi i ri Qeveritar dhe më pas rishikimi i buxhetit.“

„Në këtë buxhet që kemi prezantuar te ju, kryefjala është shifra prej afër 4 miliardë euro, ku një e katërta, apo rreth 1 miliardë euro, janë buxhetuar për investime kapitale. Natyrisht, risi tashmë e paralajmëruar e këtij buxheti është paga e 13-të për të gjithë punonjësit e sektorit publik. Pra, kush punon 12 muaj në sektorin publik, i merr 13 paga, dhe kjo sivjet nuk do të jetë në fund të vitit, por në pranverë.

Gjithashtu, është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës bazë prej 0.5% për çdo vit përvoje pune, për dallim nga ajo që kemi pasur më herët, ku për 15 vitet e para zbatohej rritja vetëm 0.25% për çdo vit përvoje pune. Pra, kemi dyfishim të shtesës së përvojës së punës. Kjo përkthehet në rritje për pagën e secilit që punon në sektorin publik, varësisht nga vitet e përvojës së punës.

Buxheti 2026 përfshin edhe rritjen e pensioneve, shtesat për fëmijë, shtesat për lehonat, pagesat për të rinjtë dhe gratë që angazhohen nga ‘Superpuna’, kompletimin e reformës së asistencës sociale dhe shumë mbështetje të tjera për familjet. Synimi ynë vjen nga orientimi ynë: rritjen ta mos e mbajmë për shtet, por ta shpërndajmë në shoqëri.“

Të ngjashme