Kuzhinieri i njohur Indrit Çela është dhunuar fizikisht me sende të forta gjatë mbrëmjes së djeshme dhe policia ka zbardhur detajet e ngjarjes.
Autorët i kanë zënë rrugën duke i shkaktuar dëmtime fizike kuzhinierit, i cili pas ngjarjes i është drejtuar spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.
Kuzhinieri ka deklaruar se nuk ka arritur t’i njohë autorët për shkak të errësirës, ndërsa më vonë është zbuluar për një konflikt të mëparshëm me ata që e sulmuan, të cilët janë vëllezër.
Pas ngjarjes është bërë e mundur identifikimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve ndërsa hetimet vazhdojnë.
“Shtetasit E. L., dhe D. L., vëllezër, banues në fshatin Derven, rreth orës 18:30, në aksin rrugor Fushë Krujë – Rinas, në vendin e quajtur “Ura e Gjoles”, me automjetin e tyre i kanë bllokuar rrugën automjetit, me të cilin udhetonte shtetasi I. Ç., 39 vjeç, dhe e kanë goditur këtë të fundit me sende të forta duke i shkaktuar dëmtime të rënda fizike, i cili ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Shtetasi E. L., është arrestuar mbrëmjen e djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Derveni”, ndërsa vëllai i tij shtetasi D. L., është shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij. Nga veprimet e para hetimore ka rezultat se mes shtetasve I. Ç., dhe vëllezërve E. L., e D. L., ka pasur konflikte të mëparshme”, sipas policisë./tch/