Halim Hajdari, 54-vjeçar, ka ndërruar jetë dje në vendin e tij të punës në Telekomin e Kosovës. Dyshohet se vdekja e tij erdhi si pasojë e një sulmi kardiak.
Për rastin ka njoftuar dhe Policia e Kosovës, e cila ka saktësuar se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Familja ka njoftuar se ceremonia e varrimit do të bëhet vetëm në prani të familjarëve të ngushtë, duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së.
Fillimisht u raportua se një punëtor i Postës kishte vdekur në rrethana të dyshimta.
Për vdekjen e punëtorit të tyre ka shprehur ngushëllime dhe Sindikata e Punëtorëve të Telekomit.
“Telekomi i Kosovës nga dje, ka mbetur pa njërin nga teknikët më profesionalë, ndërsa kolegët dhe shokët kanë humbur mikun më të mirë”, thuhet në njoftimin e tyre.