Në asnjë qytet në Evropë çmimet e kostos së jetesës për të huajt nuk janë më të larta se në Zyrih. Sipas të dhënave që dalin nga një studim i kompanisë këshillimore Mercer, Zyrihu në këtë drejtim zë vendin e parë në Evropë dhe të katërtin në botë, shkruan SRF.ch.
Të huajt në këtë studim janë identifikuar ata që quhen “expats”, që janë ekspertë ose të dërguar të tjerë të niveleve të larta, të kompanive botërore.
Është interesante se qyteti më i shtrenjtë në botë për të huajt është kryeqyteti i Angolës, Luanda. Një vit më parë, në krye të listës ka qenë Hong-Kongu, i cili tash ka rënë në vendin e dytë, shkruan Albinfo.ch. I treti në këtë listë është kryeqyteti i Japonisë, Tokio.
Në mesin e dhjetë qyteteve me kosto më të lartë për të huajt në botë hyjnë edhe dy qytete tjera zvicerane: Gjeneva është në vendin e shtatë ndërsa Berna, në vendin e dhjetë.
Qyteti më i lirë për të huajt, sipas studimit, është Tunisi.
Për përpilimin e kësaj liste, autorët e studimit kanë bërë krahasimin e çmimeve për 200 prodhime dhe shërbime, si banimi, ushqimi, veshmbathja etj.