Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin për vrasjen te nënkalimi në rrugën “Bill Clinton”.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarin N. B., lidhur me vrasjen e G. R. në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.B., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje nga neni 172 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit N.B i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.
Sipas Gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se me datë 20.07.2019 rreth orës 17.50 në Prishtinë në rrugën “Perandori Justinian” në shkallët e nënkalimit, pas mosmarrëveshjes verbale me të dëmtuarin fizikisht e ka sulmuar tani të ndjerin – të dëmtuarin G. R. në atë mënyrë që e ka goditur me grushte në pjesën e kokës dhe e ka shqelmuar me këmbë ku i ndjeri kishte rënë me shpinë në shkallë, duke pësuar me këtë rast lëndime e më pas për së shkak të lëndimeve të pësuara ka ndërruar jetë në emergjencë në QKUK në Prishtinë.
“Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri në liri mund të fshihet, të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, i njëjti mund të fshihet dhe mund të arratiset me qëllim që të jetë i paarritshëm për organet e ndjekjes, si dhe duke marrë parasysh faktin se për veprën penale për të cilën dyshohet, është i paraparë denimi mjaft i lartë, ekzistojnë arsyet e bazuara se i pandehuri po të gjendet në liri, do të mund të pengonte rrjedhën e procedurës penale duke fshehë, ndryshuar ose falsifikuar provat e veprës penale si dhe duke ndikuar në dëshmitarë, të dëmtuarit apo në pjesëmarrësit”, thekson Gjykata Themelore.
Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.