2023-ta është shpallur si Viti Evropian i Shkathtësive, andaj shumë nga aktivitetet për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë do të fokusohen në zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar sot në Ditën e Evropës një masterklasë ku të rinj kosovarë po mësonin shkathtësitë e artit në rrugë, raporton Ekonomia Online.
Pjesëmarrësit në këtë projekt ishin të rinjtë nga mosha 13 deri 18 vjeçare që do të mësojnë bazat dhe teknikat e artit të rrugës, si të bëjnë grafitë, murale etj.
Ishte artistja zvicerane Madebystern, e cila prezantoi këto teknika para të rinjve, të cilët më pas ato mësime i vendosën në praktikë.
“Ky është #Viti Evropian i Aftësive. Kjo është arsyeja pse shumica e aktiviteteve tona për shënimin e Ditës së Evropës 2023 fokusohen në zhvillimin e aftësive në Kosovë”, ka thënë ambasadori Szunyog.
“Kisha kënaqësinë të vizitoja masterklasën ‘Shkathtësitë e Artit të Rrugës’ dhe ekspozitën e fotografive “Vala tjetër’ në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, të dyja duke treguar potencial të pafund. Duke mbështetur zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës paralelisht me edukimin dhe zhvillimin e aftësive të përshtatura me nevojat e tregut të punës, BE-ja po ndihmon në angazhimin e potencialit të plotë të të rinjve në ndërtimin e një Kosove më të begatë”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës, Szunyog së bashku me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e kanë përuruar Muralin e Energjisë së Mirë, të pikturuar në murin anësor të ndërtesës së BE-së.
Dita e sotme do të mbyllet me koncertin “Chopin Piano Fest”, që do të mbahet në Bibliotekën Universitare të Kosovës. Ndërkohë aktivitetet për shënimin e Javës së Evropës do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim.