Në kohën kur shumë shtete në botë po bëjnë garë për të siguruar sa më shumë doza të vaksinës kundër Covid-19 për popullsinë e tyre, Filipinet duket se kanë gjetur një metodë më “kreative” për ta arritur këtë qëllim.
Shteti i Azisë Juglindore do të lejojë mijëra punëtorë shëndetësorë, kryesisht infermierë, që të punësohen në Britani dhe Gjermani, nëse këto dy shtete ofrojnë doza të vaksinës kundër koronavirusit, bëri të ditur të martën një zyrtar i lartë filipinas.
Filipinet, që kanë një ndër shifrat më të larta të rasteve me Covid-19 në Azi, e ka lehtësuar ndalimin e largimit të punëtorëve shëndetësorë jashtë vendit, por ende këtë shifër e ka të kufizuar në 5.000 punëtorë në vit.
Alice Visperas, drejtor i Byrosë për Çështje ndërkombëtare në Ministrinë e Punës, tha se Filipinet janë të hapura për ta rritur shifrën e punëtorëve shëndetësorë që mund të largohen nga vendi në këmbim të vaksinave nga Britania e Madhe dhe Gjermania, shkruan The Guardian.
Infermierët janë në mesin e shumë profesionistëve filipinas që punojnë jashtë vendit, duke siguruar rreth 30 miliardë dollarë remitenca në vit, që janë jetike për ekonominë e vendit.
Ndaj këtij propozimi ende nuk kanë reaguar ambasadat e Gjermanisë dhe Britanisë në Filipine.
Filipinet po synojnë që të sigurojnë 148 milionë doza të vaksinës në përgjithësi, ndërsa dërgesa e parë pritet të arrijë këtë javë si donacion nga Kina.