Labi obligohet t’i deklarojë bakshishet

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 15:43 | Nga

I zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës, këngëtari Labinot Tahiri që nga marrja e detyrës merr mbi vete obligimin e deklarimit të dhuratave, ku bën pjesë edhe bakshishi.

Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), këngëtari nga Ferizaj që nga betimi i tij si deputet konsiderohet zyrtar i lartë publik dhe me këtë bart obligime ligjore.

“Rasti të cilit iu jeni referuar konsiderohet si Zyrtar i Lartë Publik sipas nenit 3, paragrafit 1, nën-paragrafit 1.1, pika 1.1.2, të Ligjit Nr. O4/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtareve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për KALLXO.com.

Dyshimi rreth ligjshmërisë së pranimit të bakshisheve vjen nga neni 11, paragrafi 4 i Ligjit Nr. O4/L-050. “Personi zyrtar nuk mund të pranojë dhurata monetare”.

Mirëpo Agjencia Kundër Korrupsionit e bën të qartë se personi zyrtar nuk mund të kërkojë ose pranojë dhurata ose favore të tjera për vete, as për anëtarët e familjes, që kanë të bëjnë me ushtrimin e detyrave zyrtare dhe të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare, përveç dhuratave protokollare dhe dhuratave të rastit.

Pra, ndalimi i pranimit të dhuratave vlen për ato dhurata të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrës së tij si deputet.

“Duke qenë se neni 11, paragrafi 1 i Ligjit Nr. O4/L-050 dhe Ligjit Nr. 04/L-228 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit Nr. O4/L-050 i referohet dhuratave të cilat ndikojnë ose mund të ndikojnë në ushtrimin e detyrave zyrtare.”

Prandaj, të hyrat apo fitimet nga profesioni i tij si këngëtar Labinot Tahiri, i njohur si Labi, është i detyruar që t’i deklarojë sipas ligjeve në fuqi.

Ndryshe, Labinot Tahiri është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ai ishte kandidat i AKR-së, e cila është pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK-në dhe Alternativën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme