Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Labinot Tahiri ka theksuar se ai do ta votoj secilin kandidat për kryetar të Kuvendit që është shqiptar.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic ka theksuar se pa asnjë hezitim do të votoj Kadri Veselin, për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
Madje, siç tha ai, Veseli është njeriu i duhur për atë pozitë dhe se duhet të rizgjidhet në krye të organit më të lartë legjislativ në vend.
“Veç nëse është shqiptar e votoj. Nëse bëhet fjalë për Kadri Veselin, Kadri Veseli, ka qenë shumë tolerant ndaj deputetëve aty në Kuvend, dhe në fakt me ka pëlqyer qëndrimi i tij, dhe mendoj së është i duhuri sërish ta gëzoj atë pozitë”, ka theksuar ai.
Ai tha se pos Veselit do të votojë edhe cilin do kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit, që është shqiptar.
“Por sigurisht se pa qenë aty, në arenë, në këtë rast- Kuvend, nuk e di si do të ndodhë me ne, ndoshta edhe e nominojnë PAN-i për kryetar e ndoshta jo. Por cilido që të është, mundësitë janë për ta votuar”, tha ai.
Sipas tij, edhe partitë tjera nuk duhet që të mos e fshehin mundësinë që ta votojnë Veselin për kryetar të Kuvendit.
“Unë i vlerësoj njerëzit në bazë të punës dhe sinqeritetit”, tha ai.
Ndërkaq, sa i përket votës ndaj mandatarit të PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj ai tha se ende është herët të flitet, dhe se për këtë janë duke diskutuar edhe brenda AKR-së.
“Kjo është ende herët për ta thënë këtë sepse në këtë pikë jemi në konsulta me partinë tonë- AKR-në”, tha ai.
Në anën tjetër, LDK dje pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm ka thënë se ka marrë vendim që në asnjë mënyrë nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.
Madje, lideri i LDK-së, Isa Mustafa duke folur edhe në emër të koalicionit LAA, tha se asnjë deputet nuk do ta votojë Kadri Veselin për kryeparlamanetar.
E, sot i pari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka shprehur besnikëri ndaj koalicionit me LDK-në.
Pacolli tha se do të mundohet që brenda koalicionit që të veprojë vetëm në kornizat e marrëveshjes me LDK-në dhe nuk e ka tradhtuar askënd dhe do ta ketë të vështirë ta bëjë një gjë të tillë.
Pacolli tha se nuk është në dijeni nëse ndonjë nga deputetët e partisë së tij është takuar me ndonjë përfaqësues të koalicionit PAN.