Laboratori “Medical & Laboratory Services”, i vajzës së Blerim Devollit, Vlerës, ka fituar tenderin për testimin e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për koronavirus.
Punonjësve në numër 3,947 do t’u bëhen testet serologjike IGM dhe IGG, teksa vlera e kontratave në total është 169,258.58 euro. Nga korporata thonë se laboratori që fitoi kontratën, është parë si më i përgjegjshëm dhe më i lirë me çmime.
“Medical & Laboratory Services”, në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve aktualisht figuron në emrin e Astrit Haxhismajli, bashkëpunëtor i Blerim Devollit. Por, kur ky laborator ishte licensuar nga Ministria e Shëndetësisë për kryerjen e testeve për koronavirus (dhe ishte i vetmi laborator privat që kishte nisur testimin), mësohet se laboratori është në pronësi të Vlera Devollit. Kjo asnjëherë nuk është mohuar.
Në një bisedë për Gazetën Express, zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli, tha se qëllimi i testimit të punëtorëve të kësaj korporate ka qenë që të arrihet një pasqyrë e qartë e gjendjes me koronavirus dhe të dihet se sa punëtorë e kanë kaluar virusin deri më tani.
Zëdhënësi i KEK-ut dha edhe arsyet se përse është kërkuar që testimi i punëtorëve të bëhet në hapësirat e KEK-ut dhe jo dërgimi i tyre në laborator.
“Arsyeja pse është kërkuar që testimi të bëhet në hapësirat e KEK-ut, është se nuk kemi pasur mundësi që rreth 4000 punëtorë ti dërgojmë në një laborator i cili i bënë testimet dhe e vetmja mënyrë për bartjen e tyre ka qenë që të kontraktohen autobus dhe kjo po ashtu sipas vlerësimit tonë do kishte shpenzime edhe më të mëdha seç janë tani.
Po ashtu arsye tjetër është se bartja me autobusë dhe grumbullimi i punëtorëve në një pike do krijonte tollovi dhe mundesi të përhapjes së virusit në masë. Për më tepër, grumbullimi i personave në një vend është i ndaluar edhe me vendim të Qeverisë”, përfundoi ai.
Ky laborator ka dal fitues në 5 llotet e tenderit të hapur nga KEK-u, teksa testimi i punëtorëve të KEK-ut ka nisur para disa ditësh.