Ngrohtorja e qytetit Termokos ka paralajmëruar se këtë vit do të fillojë zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në disa lagje të kryeqytetit. Zyrtarë të Termokosit thonë se projekti i zgjerimit, në vlerë prej 10 milionë eurosh, është financim i Bankës Zhvillimore Gjermane dhe pritet të zgjasë deri në pesë vite.
Qendra e qytetit, lagjet Kalabria, Ulpiana dhe një pjesë e lagjes “Mati 1” janë të parat që do të përfitojnë nga projekti i zgjerimit të rrjetit të ngrohjes.
Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, ka thënë se në disa pjesë të këtyre lagjeve do të ketë zgjerim të rrjetit të ngrohjes dhe në disa pjesë të tjera rehabilitim të rrjetit ekzistues.
“Orientimisht janë të përcaktuara disa lagje në qytetin e Prishtinës. Zgjerim të rrjetit do të ketë patjetër edhe nëpër lagjet ekzistuese ku kemi rrjetin ekzistues të ngrohjes siç janë Qendra dhe lagjja ‘Ulpiana’, ku kemi disa objekte të vjetra banesore që nuk janë të pajisura me ngrohje për shkak që janë të vjetra dhe ne atë kohë nuk e kanë pasur sistemin e ngrohjes qendrore të instaluar për brenda këtyre objekteve. Pastaj kemi si orientime lagjen ‘Kalabria’ dhe një pjesë të lagjes ‘Mati’ 1.” , tha ajo.
Sipas zëdhënëses Uka, projekti i zgjerimit të rrjetit të ngrohjes do të zgjasë varësisht nga kapacitetet që ka Termokosi.
“Në fakt, Master plani për një zgjerim me afatgjatë të ngrohjes sipas këtij plani, parashihet që tri deri në pesë vite të zgjasë ky zgjerimi i rrjetit. Kështu parashihet me këto kapacitete ekzistuese të ngrohjes që kemi, të cilat i marrim nga dy blloqet e Termocentralit ‘Kosova B’.”
Përveç këtyre lagjeve, zyrtarët e Termokosit kanë paralajmëruar një zgjerim tjetër të rrjetit të ngrohtores, bazuar në një projekt tjetër prej 10 milionë eurosh, të mbështetur nga Bashkimi Evropian që është në proces tenderimi.