Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se nuk beson se do të ketë marrëveshje të re në dialogun Kosovë-Serbi gjatë udhëheqësisë së re të Bashkimit Evropian. Ai tha se është iluzion të besohet se me përfaqësuesin e ri të Lartë të BE-së, papritur do të ketë një proces të ri.
Lajçak tha se në Marrëveshjen e Ohrit kanë punuar mendjet më të ndritura dhe se mbështetet plotësisht nga të 27 vendet antare.
Ai tha se palët duhet të zbatojnë për atë që kanë rënë dakord dhe se sa ma shpejt ta kuptojnë këtë, aq më mirë.
“Dhe përsëri, nuk mendoj që do të ketë një marrëveshje të re. Sepse nëse do të kishte një marrëveshje më të mirë, dikush do ta kishte propozuar. Janë mendjet më të ndritura që kanë punuar për këtë marrëveshje. Kjo marrëveshje mbështetet plotësisht nga Shtetet e Bashkuara, nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe në veçanti nga Gjermania, Franca dhe Italia. Pra, është përsëri një iluzion të besosh se me përfaqësuesin e ri të Lartë [të BE-së], papritur do të ketë një proces të ri. Parametrat kryesorë nuk do të ndryshojnë. Dhe për këtë arsye, pacta sunt servanda – ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet – është parimi bazë. Dhe sa më shpejt ta kuptojmë këtë, aq më mirë”, ka deklaruar Lajçak në një intervistë për REL.
Lajçak tha se parametrat bazë të këtij procesi nuk do të ndryshojnë.
“Shiko, parametrat bazë nuk do të ndryshojnë. Parametrat bazë të këtij procesi janë të njohura mirë. Dhe natyrisht, këtu përfshihet fakti që komuniteti serb në Kosovë duhet të jetë në gjendje ta ruajë identitetin e vet, të ndihet i sigurt dhe i mbrojtur, të ketë marrëdhënie institucionale me Serbinë në përputhje me standardet evropiane dhe brenda kornizës ligjore të Kosovës. Le të jemi shumë të qartë për këtë. Dhe, në këmbim, Serbia duhet t’i përmbushë të gjitha elementet e normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Lajçak.