Lajçak: Nëse Prishtina e Beogradi janë marrë vesh për Asociacionin, atëherë le ta themelojnë

Prishtinë | 05 Qer 2019 | 10:29 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, duke potencuar se marrëveshja që potencialisht do të arrihet duhet të respektohet.

Lajçak ndër të tjera ka thënë se Kosova duhet të themelojë edhe Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, nëse për një gjë të tillë është pajtuar në Bruksel.

“ Është një mesazh miqësor që do të ndihmojë qeveritë. Dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të vazhdojë, për të sjellë rezultate konkrete. Duhet të respektohen marrëveshjet. Nëse janë pajtuar për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, atëherë duhet përmbushur”, ka thënë Lajçak, shkruan telegraf.rs.

Ndër të tjera Lajçak ka thënë se Serbia duhet të vazhdojë reformat në  sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, fushën e mediave e të ngjashme.

Se Asociacioni duhet të themelohet, kanë thënë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasada e SHBA-së në Beograd në një reagim të para pak ditësh në twitter, ka thënë se obligimet e marra në Bruksel përfshirë edhe Asociacionin, duhet përmbushur.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin implementimin e plotë të gjithë obligimeve që janë marrë në dialogun e Brukselit. Kjo përfshinë edhe obligimet që kanë të bëjnë me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumice serbe”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Beograd të lëshuar me 31 maj.

Ndërkohë në Kosovë ka kundërshti sa i përket themelimit të Asociacionit. Presidenti Thaçi fillimisht ka deklaruar se nuk do të lejojë themelimin e kurrfarë lloji të Asociacionit, më pas ka thënë se Kosova do të respektojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, të cilat janë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme