Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Serbisë, njëherësh ministër i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit, Rasim Lajiq, ka thënë për radiotelevizionin e Vojvodinës se marrëveshja për telekomunikacion me Kosovën është në të mirë të Serbisë dhe të serbëve që jetojnë në Kosovë.
I pyetur se çka do të ndodh nëse në ndërkohë vjen deri te ndryshimi i qeverisë në Kosovë dhe si rrjedhojë Prishtina nuk do të dëshironte ta zbatonte këtë marrëveshje, e në ndërkohë prefiksi i mbetet Kosovës, Lajiq ka thënë se një skenar i tillë nuk përjashtohet për shkak të, siç ka thënë ai, trazirave politike në Kosovë, por se, sipas tij, në atë rast Serbia do ta tërhiqte pajtimin për prefiksin.
“Nëse e bëjnë këtë, atëherë asgjë nga marrëveshja nuk do të vlente, e si rrjedhojë as prefiksi, sepse do të tërhiqnim pajtimin tonë në këtë rast. Ne dëshirojmë që marrëveshja të zbatohet, por nëse pala tjetër dëshiron të luajë me këtë çështje, ata do të jenë fajtorët dhe ne nuk kemi obligim që të zbatojmë atë të cilën e kemi nënshkruar”, ka pohuar Lajiq.
Ai ka thënë se me këto negociata, Serbia ka dashur që të vendos një model i cili do të vlente për të gjitha organet tjera kur është fjala për pronat në Kosovë, pasi që, sipas tij, “nëse këtu do të tërhiqeshim për pronën e Telekomit, atëherë shqiptarët e Kosovës do të thirreshin në të në rastet tjera”.
Ministri Lajiq ka thënë se me këtë marrëveshje, të arritur në Bruksel, Kosova nuk ka përfituar kod ndërkombëtar të pavarur, pasi që në këtë rast nuk do ta kërkonte pajtimin e Serbisë, “gjë të cilën po e kërkon”.
Ai tha se ky kod është thjesht një kod gjeografik, siç është rasti i Kinës me Hong Kongun, apo Britanisë së Madhe me Ishujt Falkland.
Zëvendëskryeministri Rasim Lajiq, ka bërë të ditur edhe një detaj, duke thënë se “në rastin e Kosovës, prefiksi do të mundësohet me kërkesë të Austrisë dhe me pajtim të Serbisë, i cili do t’i jepet Kosovës në momentin kur Telekom Serbia të nis punën legalisht në Kosovë”.
Ai konfirmoi se thirrjet mes Kosovës dhe Serbisë do të trajtohen si thirrje ndër-qytetesh dhe në këtë trafik nuk do të ketë nevojë për prefiks. Ndërsa në rastin e telefonisë mobile, sipas tij, “licenca e përkohshme e Telekom Serbisë për veprim në Kosovë skadon pas dy vjetësh, siç do të ndodh edhe për dy operatorët tjerë që punojnë atje”.
I pyetur se çfarë garancish ka që Telekom Serbisë pas dy vjetësh do t’i vazhdohet licenca, pra nëse mund të ndodh që të mos i vazhdohet, Lajiq ka thënë se pas dy vjetësh do të hapet tenderi i ri në të cilin do të merr pjesë edhe Telenori, kompani tjetër telekomunikimi e Serbisë.
“Bëhet fjalë për tender ndërkombëtar i cili kryhet nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian. Zgjidhje tjetër nuk ka pasur. Ata tani nuk mund t’i japin Telekomit licencë 10 vjeçare ndërsa dy operatorët tjerë të shkojnë në tender”, ka sqaruar ministri Lajiq.
Ai nuk ka dashur të vlerësojë se kush ka fituar më shumë e kush më pak, Kosova a Serbia, por vlerëson se është marrëveshje e mirë për Serbinë.
“Nuk jemi në vitin 1998, nuk kemi as prani ushtarake e as policore në Kosovë, por në këtë rast kemi nxjerrë maksimumin e mundshëm”, ka vlerësuar ai.
Ndër të tjera, ministri serb ka treguar se të mërkurën do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, përkatësisht “zbatimin e detajeve shumë të komplikuara teknike”, duke shtuar se Serbia është e gatshme që ta operacionalizojë këtë.