Lajmërohet Biden pak para inaugurimit si president

Prishtinë | 20 Jan 2021 | 15:35 | Nga Ekonomia Online

Joe Biden i është drejtuar popullit amerikan pak para se të inaugurohet si presidenti i 46’të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Biden ka thënë se është një ditë e re në Amerikë, derisa ka publikuar edhe një fotografi nga vendi ku pritet të bëhet ceremonia e inaugurimit.

Ndryshe, Biden inaugurohet sot si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamla Harris po ashtu bën betimin si nënpresidente.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Inaugurimi është një ceremoni zyrtare që shënon fillimin e një presidence të re në Shtetet e Bashkuara dhe, sipas ligjit, zhvillohet më 20 janar në Uashington.

Presidenti bën betimin me fjalët: “Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

Ceremonia e inaugurimit sivjet është ndër më të pazakonshmet në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ajo zhvillohet nën masa të pashembullta të sigurisë, të cilat pasojnë dhunën e 6 janarit në ndërtesën e Kongresit.

Presidenti në largim, Donald Trump, nuk do të marrë pjesë në ceremoni.

Pjesëmarrja e publikut në inaugurim është po ashtu rreptësisht e kufizuar për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme