Dejona Mihali, aktivistja dhe koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, është lajmëruar sonte pas arrestimit të drejtorit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ajo ka sulmuar Prokurorinë Speciale dhe kryeprokurorin Blerim Isufaj duke thënë se do të shihen shumë urdha këto javë e muaj nga ky institucion i drejtësisë.
“Do të shihni këto javë e muaj shumë urdhra nga Prokuroria Speciale. Vjet në këtë kohë bën shumë përpjekje. Shumë hetime, shumë vepra të vjetra të aksioneve tona politike, çdo deklaratë të vitit 2020 për ministrat e kthyen në hetim. Pas një viti prapë. Prokuroria Speciale e Blerim Isufajt në veprim”, shkroi ajo në Facebook.
“Pse do të thoni ju? Kur ja heq një herë në jetë fletëarrestin kryekriminelit Millan Radojciq çka mendoni ju se mund të bëj tjetër një prokuror si Blerim Isufaj përveçse të zhytet edhe më thellë në ujra të zeza. Por qesh mirë kush qesh i fundit. Prokuror Elezin e detyruan të braktiste Kosovën se nuk ua ‘pastroji’ rastin VETERANËT. Po ne nuk ikim. Jemi shumë. Edhe të vendosur. Kosova SHTET I SË DREJTËS”, shtoi ajo.
Para Mihalit, statuse e deklarata sulmuese ndaj prokurorisë pati edhe nga tre deputetë të Vetëvendosjes (Arbër Rexhaj, Halil Thaçi e Salih Zyba). Bien në sy “liket” që zëdhënësi i Vetëvendosjes ua ka bërë këtyre statuseve në rrjetet sociale.