Kryeministri Albin Kurti sot ka emëruar Rifat Latifin si ministër të ri të shënedetësisë, pasi kjo ministri po funksiononte me ushtrues detyre, që prej dorëheqjes së Arben Vitisë.
Ani se ishte folur për ta marrë këtë pozitë, Haxhi Avdyli i listës “Guxo” nuk u emërua në postin e të parit të Shëndetësisë. Ai është lajmëruar në Facebook, ku ka treguar se si po harmonizohen disa ligje të shëndetësisë.
Avdyli ka shkruar se dje dhe sot, Komisioni për Shëndetësi dhe përfaqësuesit ligjorë të Ministrisë së Shëndetësisë, po punojnë fort për të harmonizuar ligjet e shëndetësisë me ligjin për kundërvajtje dhe plotësime tjera.
“Dje e sot komisioni për shëndetësi, bashkë me përfaqësuesit ligjor të MSH e Qeverisë, drejtorët e inspekorateve e akterë tjerë, nga ora 10 deri pasdite po punojmë në harmonizimin e ligjeve të shëndetësisë me ligjin për kundërvajtje dhe plotësime tjera. Nga 15 ligje të kaluara në lexim të parë, dje e sot gjysmën e ligjeve nga 15 i përfunduam. Pjesa tjetër do harmonizohen në ditët në vijim në mënyrë që ti kemi gati për aprovim përfundimtar në një nga seancat e radhës. Ky harmonizim këtyre ligjeve është dashtë të kryhej nga 2017 ,kur është aprovuar ligji për kundërvajtje, por po kryhen në fund të vitit 2021”, ka shkruar Avdyli.
Ndryshe, Avdyli ishte përmendur si zëvendësues i Arben Vitisë në postin e ministrit të Shëndetësisë.
Avdyli fillimisht nuk ishte emëruar ministër i Shëndetësisë pas arritjes së koalicionit të “GUXO”-s me Lëvizjen Vetëvendosje , derisa një pozitë të tillë s’ka arritur që ta zë edhe pas largimit të Arben Vitisë.
Kur ishte pyetur në korrik nëse do ta jetë ministër i ri i Shëndetësisë, Avdyli s’kishte konfirmuar asgjë, megjithatë kishte shprehur gatishmërinë e tij për t’u bërë ministër.
“Çdo detyrë që më besohet, veçanërisht ato në sferën ë shëndetësisë, besoj se mund t’i kryej me profesionalizëm”, kishte dekalruar Avdyli për Kallxo.com
Avdyli kishte thënë se nuk është në dorën e tij posti i ministrit, ndërsa kishte treguar se diskutimet janë të vazhdueshme.
“Nuk mund me i konfirmua asgjë, sepse procesi i diskutimeve është i nivelit më të lartë, është i vazhdueshëm por nuk mund ta konfirmoj asgjë sepse kjo nuk është në dorën time por në dorën e atyre të cilët janë vendimmarrës në politikën kosovare sot”, kishte shtuar tutje.
Kryeministri Albin Kurti sot ka emëruar ministrin e ri të Shëndetësisë, Rifat Litifin. Latifi është kirurg në Qendrën Mjekësore, Westchester, New York.
“Unë si kryeministër i Republikës së Kosovës posa kam nënshkruar vendimin për ministrin e ri të Shëndetësisë. Ministri i ri i Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës do të jetë profesor doktor Rifat Latifi”, ka thënë sot kryeministri Kurti.