Prishtinë, 20 nëntor – “Baca Adem vdiq i qetë”, është fjalia që nis dhe përfundon Selatin Novosella shkrimin “Në vend të hyrjes”, me të cilin hapet libri i tij më ri që i kushtohet figurës kombëtare Adem Demaçi. I titulluar “Lamtumirë Baca Adem”, ky libër u promovua të hënën në Institutin Albanologjik të Prishtinës në mesin e familjarëve, miqve dhe kolegëve të Demaçit, i cili vdiq më 26 korrik të këtij viti në moshën 82 -vjeçare.
Por “Lamtumirë…” vjen si një lloj paralajmërimi për botimin në tërësi të veprës së Demaçit dhe ato që i janë kushtuar atij. Do të jenë 40 vëllime dhe lajmin për këtë e ka dhënë Novosella në përurimin e librit të tij.
Si mik i afërt dhe njohës e arkivues i gjithë veprimtarisë dhe krijimtarisë së Demaçit, Novosella e ka strukturuar “Lamtumirë…” në tre kapituj. Kreu i parë përfshin tri pjesë kryesore. Në pjesën e parë të titulluar “Mbledhja komemorative për vdekjen e Bacës Adem Demaçi”, e mbajtur në Kuvendin e Kosovës më 27 korrik të këtij viti, sjell fjalimet komemorative të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, të nënkryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, dhe të kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. Në pjesën e dytë autori sjell kreun e titulluar “Ceremonia shtetërore për varrimin e Bacës Dem” e organizuar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë në të njëjtën ditë. Aty përmblidhen fjalimet mortore të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, dhe fjalimi i Abetare Demaçit i titulluar “Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët”. Pjesa përmbyllëse e këtij kreu përmban fjalën lamtumire të autorit të këtij libri, të lexuar në ceremoninë e varrimit në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Historiani Ibrahim Gashi në përurim ka thënë se ky libër vjen si testament për Demaçin, duke argumentuar, po ashtu, përse fraza “Baca Adem vdiq i qetë” ka kuptim.
“Libri është një sintezë e shkruar me një stil të qartë dhe me përmbajtje të saktë nga ana intelektuale”, ka thënë ndër të tjera Gashi.
Politikani dhe shkrimtari Hydajet Hyseni, pos librit ka folur edhe për unitetin dhe solidaritetin që shoqëria shqiptare në përgjithësi e tregoi në ditën e lamtumirës së fundit që iu dha Demaçit. Megjithatë, nuk la pa përmendur edhe disa probleme.
Libri “Lamtumirë Baca Adem” u botua dhe përurua në kuadër të veprimtarive në shënim të 50-vjetorit të nëntorit 1968-s.
Abdyl Kadolli, studiues dhe kryeredaktor i revistës “Metafora”, ka thënë se edhe në këtë botim të lamtumirës, Adem Demaçi del një figurë madhështore, si “gjeni i epokës së re”.
“Të botojmë jetën dhe veprën e Adem Demaçit në tërësinë e saj. Do të jenë 40 vëllime që do të botohen përnjëherë”, ka thënë në fund Novosella