Lamtumirë ndërrim ore, Komisioni Evropian vendos

Prishtinë | 31 Gus 2018 | 11:11 | Nga

Pas një sondazhi online për ndërrimin e orës në atë të dimrit dhe të verës, ku shumica e qytetarëve është shprehur kundër, Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Evropian shprehet se rregullorja do të shfuqizohet.

Së shpejti nuk do të duhet më të përgatitemi për kohën e dimrit dhe atë të verës përmes orës. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker në një intervistë për programin e mëngjesit të televizionit gjerman ZDF është shprehur, se pasi shumica e qytetarëve i ka thënë jo ndërrimit të orës, Komisioni Evropian do të propozojë heqjen e këtij rregulli.

“Njerëzit duan që ne ta bëjmë këtë”, ka shtuar ai.

Që këtë të premte Komisioni do të marrë vendimin përkatës. Pastaj e kanë radhën shtetet anëtare dhe Parlamenti Evropian, e në fund nuk do të kemi më ndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe të verës, tha Juncker.

Në një sondazh online, ku morën pjesë 4,6 milionë e qytetarëve të BE, shumica janë shprehur për mosndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe atë të verës. 3 milionë pjesëmarrës në sondazh ishin nga Gjermania.

Aktualisht në të 28 vendet anëtare të BE dhe vende të tjera të Evropës dy herë në vit kemi ndërrimin e orës. Qëllimi i ndërrimit të orës ka qenë shfrytëzimi më i mirë i dritës së ditës për të kursyer energji, por vlera e vërtetë e kursimit gjithmonë ka qenë e kontestuar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme