Lansohet aplikacioni për kërkesa të qytetarëve dhe për identifikimin e deponive ilegale

Prishtinë | 04 Pri 2018 | 11:48 | Nga Besjana Bajrami

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) në bashkëpunim me GIZ-in kanë lansuar aplikacionin për kërkesa të qytetarëve dhe identifikimin e deponive ilegale “ndreqe.com”.

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj tha se përmes kësaj platforme do të rritet transparenca e komunave, raporton Ekonomia Online.

“Kjo platformë do të rrisë bashkëpunimin në mes të institucioneve dhe qytetarëve. Pa një bashkëpunim të tillë nuk mund të ketë një progres shoqëror. Përmes kësaj platforme qytetarët do të na informojnë edhe për shkeljen e rregullave të mjedisit. Vetëm me një punë të përbashkët ne mund të arrijmë ta përmirësojmë gjendjen e mjedisit. Përmes kësaj platform, ministria jonë do t’i marrë shqetësimet e qytetarëve. Kam marrë një përgjigjje pozitive nga të gjithë kryetarët e komunave në Kosovë që do të marrin përgjegjësi për punën më efiçiente”, tha ajo.

Rozafa Ukimeraj nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal tha se kjo platformë do t’ua lehtësojë qytetarëve që ankesat e tyre t’i drejtojnë në komunat përkatëse.

“Platforma online “Ndreqe” vjen si nevojë për të rritur transparencën e institucioneve dhe qytetarëve. Ky eshtë një sistem mjaft i avancuar. Me qëllim të rritjes së transparencës janë organizuar edhe shumë aktivitete tjera.  Për rritje të transparencës janë ridizajnuar faqet elektronike të 38 komunave”, tha ajo.

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se përmes platformës do të ofrohet bashkëpunim i drejtpërdrejtë mes qytetarit dhe komunës.

“Kjo platformë do të ofrojë komunikim drejtpërdrejt të qytetarit dhe komunës. Ne kemi marrëveshje me D+ me të cilën janë adresuar 100 kërkesa vetëm në Prizren që kryesisht kishin të bëjnë me deponi të bërllokut. Me inspektoriatin jemi duke bërë një plan operativ për ta shikuar hartën e këtyre deponive ilegale dhe për të vazhduar me gjoba për ata që vazhdojnë të thejnë rregullat e mjedisit”, tha ai.

Karl Hoffman nga Giz tha se përmes platformës ndreqe.com qytetarët mund ta mbajnë komunën më përgjegjëse.

“Nuk janë vetëm qytetarët që hedhin mbeturinat por edhe komunat. Në rrugën drejt BE-së duhet ta zgjidhni këtë rrëmujë. Në platformën ndreqe.com mund të raportoni për probleme e ankesa të ndryshme. Ne kemi një mundësi të madhe që ta mbështetni komunën tuaj, ta mbani komunën tuaj përgjegjëse dhe llogaridhënëse”, tha ai.

 

 

Të ngjashme