Platforma CiviKos rrjeti i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë në bashkëpunim me organizatat Artpolis, Democracy Plus, PEN, Fondacioni Kosovar për Shoqëri civile (KCSF), dhe YMCA kanë lansuar kampanjën online #VendoseMaskën, raporton Ekonomia Online.
Kjo kampanjë ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së qytetarëve të Kosovës mbi rëndësinë e përdorimit të maskave në ambiente publike.
Kampanja online #VendoseMasken ka filluar me një aksion simbolik përmes shpërndarjes së disa maskave në pikat e poshtëcekura në qytetin e Prishtinës.
Fleta Baraku, nga organizatat që lansuan fushatën, tha se kampanja do të vazhdojë për një muaj rresh në mënyrë që qytetarët të vetëdijesohen të bartin maska, raporton EO.
“Ky është një aksion simbolik, duke e parë se sa e rëndësishme është vendosja e maskës në luftë ndaj pandemisë Covid-19”.
“Kjo është një kampanjë që është organizuar në bashkëpunim me organizata te tjera që janë anëtare të platformës Civikos”.
“Kjo kampanjë do të vazhdojë derisa të vetëdijesohen të gjithë qytetarët përreth një muaj. Kampanja është online”
Edhe qytetarët po e mirëpresin këtë iniciativë. Ruzhdi Uka tha se bartja e maskave është e domosdoshme, ai madje ka kërkuar që të kthehen masat pas rritjes së numrit të rasteve me Coronavirus.
“Maska është e domosdoshme për secilin. Kjo qeveri nuk është duke e menaxhuar situatën aspak. Ndërsa Qeveria e kaluar e menaxhoi situatën mjaft mire dhe patëm raste më pak”.
“Ndërsa tash me Qeverinë Hoti kemi 129 vetëm dje, prandaj edhe duhet të kthehen masat duhet të kthehen prapë sepse është duke u bërë një katastrofë”.