Lansohet Platforma për Raportimin e Korrupsionit, model i Koresë Jugore

Prishtinë | 19 Dhj 2024 | 11:16 | Nga Hasan Hoti

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka lansuar Platformën për Raportimin e Korrupsionit, e cila shënon një hap të rëndësishëm për “avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se kjo platformë moderne synon të fuqizojë qytetarët dhe institucionet në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë, të sigurt dhe konfidencial për raportimin e rasteve.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se ky aplikacion tregon se teknologjia nuk është thjesht një mjet teknologjik, është një deklaratë.

“Platforma për Raportimin e Korrupsionit që po lansojm sot nuk është thjesht një mjet teknologjik, është një deklaratë. Është një zotim që çdo qytetar në këtë vend ka fuqinë të sjellë ndryshim. Është një simbol i asaj që ne mund të arrijmë kur bashkojmë forcat për një qëllim të përbashkët. Kjo platformë është një fryt i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me partnerë të tillë si UNDP, dhe e frymëzuar nga koncepti “Clean Portal” i Koresë së Jugut. Por ajo është bërë me e fuqishme sepse është përshtatur për realitetin tonë. Është një tregues se si mund të marrim praktikat më të mira globale dhe t’i bëjmë ato të funksionojnë për ne”, u shpreh Buleshkaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit.

“Lansimi i platformës ‘Raporto korrupsionin’ përfaqëson jo vetëm një mjet inovativ, por edhe një shembull të përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit. Kjo platformë është si rezultat i përkrahjes së fuqishme e UNDP-së, dhe platforma e zhvilluar ka për model praktikat më të mira ndërkombëtare në drejtim të adaptimit të përmbushjes së nevojave specifike të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit, kjo platformë ofron një mënyrë moderne, të sigurt dhe konfidenciale për qytetarët që të raportojnë raste të korrupsionin”, u shpreh Rrustemi.

Zëvendës-përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, Dudley Tarlton, tha se metodologjia është marrë nga Koreja e Jugut, teksa shpreh besimin se platforma do të ketë ndikim në ngritjen e besimit të institucioneve.

“Përmes qendrave të politikës së UNDP-së kemi mbështetur APK në mënyrë që të bëhet identifikimi i rriskeve dhe digjitalizimi së platformës së raportimit. Kjo platformë është zhvilluar bazuar në modelin e Republikës së Koresë së Jugut, i cili i ka fuqizuar qytetarët dhe institucionet në mënyrë që ta luftojnë korrupsionin. Është e lehtë dhe e qasshme të përdoret dhe gjithashtu ne besojmë që të gjitha këto përpjekje do ta kenë një impakt në Kosovë dhe gjithashtu në ngritjen e besimit të institucioneve në Kosovë”, u shpreh ai.

Të ngjashme