Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se mërgata jonë është brenda popullit dhe kombit, edhe pse është jashtë atdheut, teksa premtoi mbështetje ndaj tyre, raporton Ekonomia Online.
Shefi i ekzekutivit, tha se një mundësi e mirë për diasporën është edhe investimi në Fondin Sovran, që me të synohet indeksimi i kompanive kosovare.
“Rikthimi juaj në atdhe simbolizon lidhjen e përjetshme. Mërgata ka luajtur rol të rëndësishëm në të gjitha fushat dhe etapat”, tha Kurti.
Sipas tij kontributi i mërgatës ndjehet në të gjitha segmentet.
“Kontributi juaj ndjehet në të gjithë sektorët e vendit, u jemi pafundësisht falënderues e mirënjohjes për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për zhvillimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Çdo i treti qytetar i republikës sonë nuk është edhe banor, që do të thotë se mërgata jonë përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, përveç se mbase edhe shumicën e ekonomisë sonë, kur kemi parasysh se fuqia jonë punëtore nuk është më pak e pranishme në mërgatë sesa në vendin tonë”, tha tutje Kurti.
Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka vlerësuar rolin e mërgatës.
Kryediplomatja tha se platforma dedikuar mërgatës “Shijo Kosovën” është mundësi për mërgatën.
Duke folur për platformën “Shijo Kosovën”, Gërvalla deklaroi se aty do të mund të gjenden shumë programe, përfshirë argëtimin dhe arsimin si dhe mundësi për të përmirësuar njohuritë e gjuhës shqipe.
Platforma “Shijo Kosovën” përfshin edhe informacione për datat dhe vendet e aktiviteteve, të cilat ndahen në disa rubrika.
Aty përfshinë informacione për aktivitete, si duhet regjistruar për të marrë pjesë në ngjarje e aktivitete verore apo dimërore që do të mbahen në Kosovë.
Platforma synon gjithashtu edhe shoqërimin e të rinjve nga diasporë me ata në Kosovë, në mënyrë që të shkëmbehen ide e përvoja si dhe të zhvillohet edukimi joformal.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuar zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla-Schwarz, e dashura Donikë,
E nderuar zëvendësministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi,
E nderuara ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu
Këtu i kemi edhe tre zëvendësministra të tjerë, është Daulina Osmani nga Ministria e Kulturës. Rinisë dhe Sportit, përgjegjëse për sportin, është Getoar Mjeku nga Ministria e Ekonomisë, edhe është Agon Dobruna, nga Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve.
Gjithashtu, këtu kemi edhe zyrtarë të tjerë të institucioneve tona të cilët i përshëndes përzemërsisht dhe i falënderoj që na e kanë organizuar bashkërisht për bashkatdhetarët tanë këtë mbrëmje shumë të rëndësishme.
Siç e tha edhe Donika, bashkatdhetarët, mërgatën tonë, ne i konsiderojmë që janë brenda popullit, brenda kombit, edhe pse janë me punë jashtë atdheut.
Si çdo verë, Kosova ju pret me krahë të hapur dhe me zemër të mbushur plotë. Rikthimi juaj në atdhe, në shtëpitë tuaja e shënon një moment të veçantë e simbolizon lidhjen e përjetshme midis nesh edhe jush, aq të fortë sa që nuk kemi dy palë por jemi i njëjti popull.
Si mërgatë, ju keni luajtur një rol shumë të rëndësishëm dhe vazhdoni të luani sa i përket zhvillimit ekonomik e social, politik e kulturor të Kosovës. E të paktën në një rast, keni pasur ndikim edhe në zhvillimin kapital të politikave tona për arsim edhe industri. Vitin e kaluar për herë të parë e kemi filluar me mësimin dual, sipas modelit të ausbildung-ut, siç i thonë gjermanët por edhe një pjesë e mirë e Zvicrës edhe austriakët. Me katër profile, në katër shkolla profesionale në tre komunave të ndryshme. Kurse sivjet presim që të kemi së paku 8-fish më shumë nxënës, 6-fish më shumë shkolla, 11-fish më shumë komuna dhe 3-fish më shumë profile. Për ausbildung kemi më dëgjuar për herë të parë nga mërgata jonë, pra sistemin dual që e lidh tregun e punës me arsimimin profesional nuk e kemi mësuar nga librat por nga përvoja e bashkëbisedimit me mërgatën tonë dhe e kemi kuptuar rëndësinë e tij për ekonominë, e bashkë edhe me shoqata nga mërgata po e jetësojmë atë në Kosovë.
Kontributi juaj ndjehet në të gjithë sektorët e vendit. Ju jemi pafundësisht falënderues e mirënjohës për angazhimin tuaj të vazhdueshëm për zhvillimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës.
Çdo i treti qytetar i Republikës sonë nuk është edhe banorë që do të thotë se mërgata jonë përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë përveç se mbase edhe shumicën e ekonomisë tonë kur kemi parasysh që fuqia jonë punëtore nuk është më pak e pranishme në mërgatë se në vendin tonë.
Kosova gjithsej i ka diku rreth 400 mijë të punësuar dhe ne i kemi 400 mijë shqiptarë vetëm në Republikën Federale të Gjermanisë, pra si fuqi punëtore nuk i kemi më pak në mërgatë se sa brenda vendit. Kur kemi parasysh edhe kapitalin që e posedon mërgata jonë atëherë me të vërtetë vihet në dyshim se në kuptimin e ekonomisë kush është brenda e kush është jashtë, ndoshta ne jemi më shumë jashtë e mërgata është edhe më brenda se sa vetë ne.
Tash kthimi juaj në vendlindje sidomos në stinën e verës, është një simbol i lidhjes së përjetshme që na bashkon duke i tejkaluar kufijtë gjeografikë edhe duke sfiduar kohën, ne e dëshmojmë se edhe kur jemi të ndarë fizikisht, nuk jemi të ndarë shpirtërisht e me zemër, përkundrazi jemi pikërisht të bashkuar për nga mendjet tona, shpirti jonë i përbashkët edhe me zemrat tona.
Në dy vitet e para të qeverisjes tonë, kemi punuar me përkushtim për t’i adresuar rekomandimet dhe sugjerimet tuaja për politikat tona në vendlindje. Ju e dini që e kemi nisur nismën “Dialogun me Mërgatën”, e cila ka pasur si synim thelbësor zhvillimin e një dialogu të dyanshëm. Kjo ka të bëjë me kërkesat dhe nevojat tuaja që të gjejnë vend në zhvillim të politikave tona sot dhe të jenë udhërrëfyes për punën tonë të nesërme.
Vitin e kaluar, kemi takuar një pjesë të madhe nga ju, nëpër gati gjithë Kosovën përmes aktivitetit Karavani i Diasporës, duke prezantuar idetë dhe planet tona për ndërlidhjen tuaj me vendin e përbashkët.
Në këtë vit, kemi arritur një nivel tjetër të bashkërendimit dhe bashkëpunimit me ju. Idetë tuaja për të ofruar mënyra inovative për përfshirje të diasporës në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës kanë filluar të marrin formë, dhe shumë programe janë zhvilluar duke pasur në mendje idetë dhe sugjerimet tuaja; programe sikurse Programi për Diplomaci Qytetare dhe Java e Kulturës në Kosovë.. Dhe për këtë, ju falënderojmë përzemërsisht!
E tash edhe platforma “Shijo Kosovën” këtë vit përfshinë shumë më shumë aktivitete, partnerë dhe bashkëpunëtorë të ndryshëm duke e bërë këtë platformë bashkë-udhëtar të rëndësishëm të qëndrimit tuaj në Kosovë, jo vetëm gjatë verës, por gjatë tërë vitit.
Kjo platformë do të ofrojë mundësinë që gjatë pushimeve tuaja, të forconi lidhjet, përmes programeve të ndryshme për fëmijët tuaj, festivaleve dhe aktiviteteve të ndryshme edhe kulturore edhe natyrore, teksa shijoni bukuritë natyrore dhe skenën e pasur të artit e trashëgimisë në Kosovë. Kjo platformë gjithashtu ju mundëson të jeni pjesë aktive e takimeve konsultuese në nivele të ndryshme. Që nga takimet në institucionet publike si Kuvendi i Kosovës, apo komunat e ndryshme të Kosovës, e deri te pjesëmarrja juaj direkte në përpilimin e legjislacionit. Ju keni kontribuar deri më tash direkt në procesin e strategjisë për diasporën dhe të akteve ligjore tjera përmes imputeve tuaja.
Angazhimi ynë për të ju dëgjuar dhe për të përfshirë mendimet tuaja do të vazhdojë. Ju bëjmë thirrje të gjithë juve mërgimtarë të dashur e përmes juve edhe të tjerëve që nuk po na shikojnë, dëgjojnë apo janë të pranishëm këtu që me propozimet tuaja, ta fuqizoni këtë dialog të hapur i cili është kyç për një Kosovë më të mirë.
Përveç ausbildung-ut kemi edhe projektin e transformimit socio-ekonomik të Kosovës e që është Fondi Sovran, Fondi i Pasurisë të Mirëqenies Sovrane, që dëshiron që qytetarët e Kosovës përfshirë edhe mërgatën tonë t’i shndërrojë në pjesëmarrës në ekonominë e Kosovës, nëpërmjet votimit ju bëheni pjesëmarrës në demokracinë në Kosovë, po nëpërmjet Fondit Sovran ku ne synojmë ta bëjmë indeksimin e kompanive tona publike po edhe private në ekonominë e vendit dëshirojmë që qytetarët e vendit përfshirë bashkatdhetarët t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë. Pra, ta demokratizojmë ekonominë e ta bëjmë qytetarin pjesëmarrës, jo veç në aspektin demokratik të cikleve elektorale por edhe të pjesëmarrjes në ekonomi edhe të zhvillimit të vendit tonë.
Kështu që ne e synojmë një ditë kur edhe ndërmarrësit vendorë edhe bashkatdhetarët në vend se ndoshta ta blejnë edhe një banesë shtesë diku në Prishtinë të mund të blejnë 0.1% të aksioneve për shembull në Telekom, në Trepçë apo në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës apo edhe në kompanitë private të cilat do të jenë të indeksuara, të zëmë me ndihmat për lehona edhe për fëmijë 90 mijë gra lehona kanë hapur në Kosovë për herë të parë xhirollogari bankare, 90 mijë.
Ne dëshirojmë që qytetarët ta lexojnë Financial Times edhe për të shikuar çmimin e metaleve në Bursë sepse kanë ble pak aksione në Trepçë, pra kjo është vizioni jonë që kursimet tona t’i shndërrojmë në kapital për zhvillim e jo vetëm kapitalin tonë në pronë patundshmërie, ku ndoshta bashkatdhetarët tonë arrijnë ta shfrytëzojnë dy javë në vit banesën që e kanë në ndonjërin prej qyteteve të Kosovës.
Pra është shumë e rëndësishme ta kemi ekonominë sa me dinamike dhe fondi Sovran synon që jo vetëm që të kemi mundësi që të blejmë bono të thesarit të qeverisë siç është rasti tani por edhe të sheshim se aktualisht mundesh me ble por nuk mundesh me shitë dhe ta bëjmë një treg dinamik të brendshëm të Republikës sonë. Edhe katragjyshërit e katragjyshet tona, pasuri e kanë konsideru shtëpinë dhe tokën po ky është model i vjetër natyrë që ky nuk do të zhduket por ne kemi nevojë që pasuri t’i konsiderojmë edhe pjesë marrjet aksionare në ndërmarrjet tona publike e shoqërorë që dëshirojmë t’i vendosim në një ombrellë të përbashkët siç është fondi Sovran. Andaj edhe sa i përket kulturës çfarë tha Donika, edhe sa i përket ekonomisë edhe sa i përket politikave tona publike mirë se vini dhe le të jetë kjo një verë e pushimeve sa më të këndshme kur bashkëbisedojnë për punët e mbara që do t’i bëjmë së bashku.
Ju faleminderit!