Sot në një konferencë për media, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) në partneritet me dhjetë organizata/institucione nga Holanda, Belgjika, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut, Surinami dhe Gana, bëri lansimin e projektit “Kujdesi në grup në 1000 ditët e para”, projekt ky i financuar nga BE përmes programit Horizon2020.
Projekti ka në fokus nënat dhe fëmijët, dhe qëllimi kryesor i këtij projekti hulumtues është zbatimi i kujdesit prenatal dhe postnatal në grup në vende të ndryshme të botës me të ardhura të larta, të mesme dhe të ulëta me qëllim të përmirësimit të shëndetit të nënave dhe fëmijëve. Në Kosovë, projekti është duke u zbatuar në Komunën e Prizrenit dhe Komunën e Lipjanit.
“Është jashtëzakonisht e nevojshme që të kemi cilësi të mirë të shërbimeve shëndetësore sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi edhe rezultate të mira shëndetësore për të gjitha gratë dhe fëmijët gjatë dhe pas shtatzënisë, veçanërisht për grupet e margjinalizuara të shoqërisë. Kjo pasi që cilësia e lartë e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët, është identifikuar si një faktor shumë i rëndësishëm në uljen e vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë tek nënat dhe tek të porsalindurit në vende të ndryshme të botës. Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që Kosova, përmes Aksionit për Nëna dhe Fëmijë është pjesë e këtij projekti ndërkombëtar. Dhe jemi shumë të lumtur që kemi mbledhur këtu në Prishtinë mbi 22ekspertë të shëndetit të nënave dhe fëmijëve nga vende të ndryshme të botës.” – u shpreh Vlorian Molliqaj, Drejtor Ekzekutiv i AMC-së.
Në anën tjetër, Marlies Rijnders, mami hulumtuese në TNO (Holandë) tha: “Hulumtimet tregojnë se gratë që marrin kujdes në grup kanë, rezultate më të mira shtatzënie, ulje të rrezikut për lindje të parakohshme, ulje të shkallës së lindjeve me peshë të ulët, rezultate më të mira të shëndetit mendor, rritje të shkallës së ushqyerjes me gji, etj. Prandaj është e rëndësishme që edhe nëKosovë, sikurse edhe në shtetet tjera, sistemet shëndetësore t’iu përshtaten nevojave të qytetarëve në mënyrë që të kemi shëndet sa më të mirë të popullsisë”.
Me rastin e lansimit të projektit, AMC fton të gjitha gratë shtatzëna që jetojnë në komunën e Prizrenit dhe atë të Lipjanit që të kontaktojnë Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe të bëhen pjesë e grupeve në mënyrë që të përfitojnë nga ky projekt.