Lansohet projekti për avancimin e të drejtave të njeriut në Polici

Prishtinë | 31 Jan 2018 | 14:39 | Nga

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abduselami Shkodra, mori pjesë në lansimin e projektit për avancimin e të drejtave të njeriu në Policinë e Kosovës.

Ky projekt, i cili bashkë financohet nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, do të zbatohet në partneritet me MPB-në, përkatësisht Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor.

Zëvendësministri Shkodra, me këtë rast tha se duke u bazuar në orientimin liberal demokratik kushtetues që ka Kosova, dhe obligimet që merr si subjekt i së drejtës ndërkombëtare, ka ndërmarrë masat dhe veprimet e nevojshme për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare që dalin nga e drejta ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përfshirë këtu edhe respektimin e te drejtave të njeriut nga organet e rendit, gjatë zbatimit të ligjit.

”Qeveria e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, bashkëpunon ngushtë edhe me institucionet relevante dhe shoqërinë civile për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut”, tha Shkodra.

Megjithatë, zëvendësministri Shkodra theksoi se ka ende nevojë për përmirësime si në aspektin ligjor e rregullative, ashtu edhe në ngritjen e kapaciteteve humane e profesionale, për të rritur cilësinë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, dhe për të krijuar kulturë që ka në prioritet mbrojtjen e drejtave dhe lirive të njeriut.

Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e mbrojtjen së të drejtave të njeriut nga policia dhe forcimin e mëtejshëm të sistemit të kontrollit të pavarur policor.
Projekti pritet të përfundojë deri në 30 prill të vitit të ardhshëm, me një buxhet të përgjithshëm prej 600 mijë eurosh.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme