Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), kanë lansuar projektin e financuar nga Komisioni Evropian për fuqizim të Shoqërisë Civile në Kosovë, raporton Ekonomia Online.
Ky projekt ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të Organizatave të Shoqërisë Civile në Kosovë, përmes trajnimit, mentorimit dhe financimit përmes granteve për projekte konkrete në fushën e avokimit dhe rrjetëzimit të organizatave. Fillimisht, projekti do të përfshijë organizata vetëm brenda kryeqytetit.
Kushtrim Uka, menaxher i projekteve në FIQ, tha se në këtë projekt do të marrin pjesë minimumi 50 OJQ, për të cilat do të jenë në dispozicion 60 mijë euro grante.
“Janë bërë shumë projekte për fuqizimin e OJQ-ve. Qëllimi jonë është që t’i përkrahim ato deri në plotësimin e kapacitete të brendshme dhe jashtme. Do të ketë një program me grante në disa nivele, grante për koalicione në fusha të cilat organizatat i shohin të rëndësishme”, tha Uka.
Ai bëri të ditur se organizatat do të kenë në dispozicion Qendrën Kombëtare të Resurseve, ku do të mund t’i shfrytëzojnë sallat e saj për kryerjen e veprimtarive.
Learta Hollaj, nga INDEP, tha se pas tri viteve synojnë që koalicione të organizatave të shtrihen edhe jashtë Prishtinës.
“Jemi të gëzuar për faktin që po konkretizojnë dicka të përbashket me FIQ-in. Besoj që pas tri viteve do të krijojmë koalicone që shtrihen përtej kryeqytetit. Do të bëjmë trajnimin e organizatave, do të luajmë edhe rolin e mentorëve në mënyrë që zëri i tyre të dëgjohet më fuqishëm”, tha Hollaj.
Gjithashtu, në konferencë u tha se do të ketë edhe trajnime specifike në fusha të ndryshme dhe se do të lansohet edhe një platformë online, në të cilën do të publikohen materiale të ndryshme që lidhen me këtë projekt.