Gjatë ceremonisë së lansimit të projektit “Ndërmjetësimi në punë për të rinjtë – në skemat: Trajnim në Punë dhe Praktikë në Punë”, i pari i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi, tha se objektivë kryesore e ministrisë është mbështetja e rinisë.
Sipas Gashit, MKRS-ja e ka prioritet Departamentin e Rinisë në vitin 2019, raporton Ekonomia Online.
“Rinia përbën një prej pjesës më vitale të vendit tonë. Që nga dita e parë e marrjes së detyrës kemi një orientim të ri sa i përket rinisë, vetëm për një qëllim, që t’u dalim në ndihmë dhe përkrahje dhe t’i ndihmojmë në çështjen e punësimit. Kjo temë nuk është krejtësisht në domenin e kësaj qeverie, mirëpo ne kemi menduar që është e rëndësishme mbështetja e tyre. Ne e kemi një prioritet të veçantë edhe në ndarjen e buxhetit dhe siç e dini Departamenti i Rinisë do të jetë fokus i veçantë në vitin 2019”.
“Programi që po e lansojmë sot ndahet në dy skema: trajnimi në punë dhe praktikën në punë. Është një program trepalësh ku është ministria, kolegji dhe firmat që do ta përgatitin rininë për treg”, tha ai.
Drejtori i Departamentit për Rini në MKRS, Xhevat Bajrami, tha se Ministria e Kulturës këtë vit ka prioritet rritjen e punësimit të rinisë në Kosovë, raporton EO.
“Ne si ministri këtë vit jemi duke u angazhuar në maksimum. Që nga ditët e para ministri ka thënë se është i fokusuar në rini. Ky projekt ka për qëllim rritjen e punësimit në Kosovë”.
Ali Bajgora, rektor në Kolegjin Evropian të Kosovës, tha se ky aktivitet i dedikohet një kauze shumë të veçantë.
“Ne si implementues të projektit, falënderojmë ministrinë për kontributin dhe bashkarisht do të kontribuojmë avancimit të rinisë së Kosovës. Me qasjen e kompanive vendore, ky projekt do të marrë qasje konkrete. 40% do të jenë femra kryesisht nga zona rurale”.
Ky program do të ofrojë “Praktikë Pune” dhe “Trajnime në Punë” për së paku 200 të rinj të moshës 18-24, në tërë rajonet e Kosovës si masë për ngritjen e punësimit.
Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Departamenti i Rinisë, në bazë të Planit të Veprimit për Punësimin e të Rinjve 2018-2020.