Misioni i OSBE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Zyrën për qeverisje të mirë, të drejta të njeriut, mundësi të barabarta dhe mos-diskriminim, sot bëri paraqitjen e projektit final të strategjisë për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për vitin 2017-2021.
Kjo strategji përqendrohet në katër fusha kryesore, arsim, punësim dhe mirëqenie sociale, shëndetësi dhe banim, ku zbatimi i saj do të ndihmojë në përmirësimin e gjendjes sociale-ekonomike të këtyre komuniteteve të cenueshme.
Habit Hajredini, shef i Zyrës për qeverisje të mirë, të drejta të njeriut, mundësi të barabarta dhe mos-diskriminim, tha se hartimi dhe përfundimi i kësaj strategjie për përfshirjen e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian në Kosovë nuk ishte e lehtë, por theksoi se kjo çështje është mësuar nga e kaluara. Ai tha se institucionet e Kosovës kanë një qasje gjithëpërfshirëse për këtë problem në mënyrë që të krijojnë vizionin e përbashkët për nevojat e komuniteteve.
Duke vënë në dukje se tani është një pjesë e madhe e të kësaj pune është kryer, Hajredini tha se “Unë padyshim dua të falënderoj të gjitë pjesëmarrësit aktorë sepse pa punën e juaj ne si Qeveri e Republikës së Kosovës nuk kishim ardhur deri në këtë kohë për të punuar dhe për të pasur një dokument të rëndësishëm që adreson çështjet që kanë të bëjnë me edukimin, mirëqenien sociale, shëndetësinë, vendbanimet dhe një pjesë që i dedikohet çështjes së regjistrimit për këto tri komunitete në vendin tonë”.
Ai gjithashtu theksoi se për secilin nga këto objektivat kanë marrë obligime dhe punë shtesë për të arritur progres në vendosjen e aktiviteteve dhe veprave, si dhe për identifikimin e kostit buxhetor për realizimin e tyre.
Kurse Stefano Gnocchi, këshilltar për çështje politike dhe komunitete i përfaqësuesit special të BE-së ka shprehur se BE-ja do të respektojë individualitetin e secilit prej këtyre tri komuniteteve, si kategori kushtetuese, si kulturat sociale ashtu edhe për nevojat e ndryshme të tyre.
“Në aspektin e politikës, ne e pranojmë se është e nevojshme që vëmendja më shumë në këto tre komunitete, me qëllim që të ndihmojmë të paktën për t’i përmirësuar kushtet e vështira të jetesës me të cilat ballafaqohet në mbarë Kosovën “, tha Gnocchi.
Në anën tjetër, Kushtrim Bajrami, menaxher i këtij projekti tha se në vitin 2008 Qeveria miratoi strategjinë dhe planin e veprimit për integrimin komuniteve rom, ashkali dhe egjiptian. Ai theksoi se në fushën e arsimit, si shtyllën e parë të strategjisë, numri i shkollimit të fëmijëve është rritur, por shtoi se braktisja ende është një problem në arsimin e lartë të këtyre komuniteteve.
“Nëse shihen dhe analizohen shifrat e regjistrimit të fëmijëve apo nxënësve të komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian nga viti 2012 deri në vitin 2016 aktualisht ka një rënie të lehtë përderisa në vitin 2012 kemi pasur rreth 7260 të regjistruar sot i kemi 6 mijë”, tha Bajrami.
Barbara Rohmann, drejtoreshë e Departamentit për të drejta të njeriut dhe komunitete pranë OSBE-së tha se draft strategjia plotëson kriteret e kërkuara, dhe shtoi se nëse Qeveria nuk zbaton atë shoqëritë civile duhet të mbikëqyrin zbatimin e saj. Ajo gjithashtu vuri në dukje nevojën e ndarjes së një buxheti të mjaftueshëm për zbatimin e strategjisë së planit të veprimit.