Komisioni i Pavarur për Media ka marrë një vendim në lidhje me ankesat e qytetarëve rreth operatorëve kabllor. Më saktë, KPM ka gjobitur 100 mijë euro katër operatorët kabllorë, raporton Ekonomia Online.
64 mijë euro është dënuar Artmotion, 26 mijë euro Kujtesa, me 7 mijë euro Ipko dhe me 3 mijë euro Telkosi.
Krejt kjo erdhi si pasojë e ankesave të qytetarëve në lidhje me mostransmetimin e kanaleve të platformës “Digitalb” paparalajmërim.
Kryetari i Komisionit të KPM-së, Jeton Mehmeti, tha se që nga 1 janari e deri më 18 janar, KPM-ja i ka pranuar 340 ankesa për këtë çështje, ndërsa shumica e tyre janë kundër platformës Artmotion, me 221 ankesa, pasuar nga Kujtesa me 87.
“Duke pasur parasysh gjithë ato ankesa qe kemi pranuar, ne kemi ardhur në përfundim se kemi shkelje të rregullores së KPM-së, nga Ipko, Kujtesa, Artmotion e Telkos. Ato kanë shkelur nenin 15-të. Gjitha këto dështime në implementim të rregulloreve tona paraqesin dëm të madh drejtuar qytetarëve. KPM-ja do veproj për sanksionimin duke ofruar gjobën maksimale e që është 100 mijë euro. Artmotion 64 mijë euro, Kujtesa 26 mijë euro, IPKO 7mijë dhe Telkos me 3 mijë euro”, u shpreh Mehmeti.
“Ka pasur ankesa rreth këtij rasti ku platformat televizive kanë ndryshuar kanalet dhe deri dje kanë ardhur 340 ankesa të qytetarëve dhe nga këto ankesa, 221 janë kundrejt platformës Artmortion, 87 për Kujtesën, 23 IPKO dhe 9 për Telkos”, deklaroi kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti.
Ai tha se natyra e ankesave është e njëjte, ballafaqim me reklamime mashtruese nga këta operatorë të cilët e kanë ditur se nga 1 janari nuk do i kenë shërbimet e DigitAlb.
Mehmeti tha se kontrata e fundit është bërë më 28 dhjetor pra vetëm tri ditë para se e drejta për shfrytëzim të Digilalb të skadojë.